Tri shtetas shqiptarë, të moshave 24, 25 dhe 30 vjeç, janë arrestuar nga forcat e policisë në lagjen “Eksarqia” të Athinës, në një operacion të Departamentit të Antidrogës së Atikës që solli edhe sekuestrimin e 155 kilogramë lënde narkotike të dyshuar kanabis sativa.
Sipas policisë, aksioni i Antidrogës u zhvillua në orët e paradites në rrugën “Spiro Trikupi” në lagjen rebele të kryeqytetit helen, ndaj dhe për të mbështetur agjentët, që mundësuan kapjen e trafikantëve, u dërguan forcat speciale të policisë për shkak të frikës për sulme të anarkistëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 155 kg kanabis, dy peshore elektronike dhe shuma prej 11.500 eurosh “cash”.
Mësohet se lënda narkotike mbahej në dy banesat e trafikantëve të bastisura prej policisë. Ajo kishte mbërritur nga Shqipëria, kurse trafikantët përdornin mbulimin e lagjes anarkiste për të shpëtuar prej arrestimit.
Tre të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre u dërguan në gjykatë, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve.
Top Channel