Kur ishte në mandatin e dytë të qeverisjes, në vitin 2009, Sali Berisha riktheu vëmendjen e tij tek pronat e sindikatave. Së pari, kryeministri Berisha ngriti një grup pune për të inventarizuar të gjitha pronat që ishin marrë nga sindikatat në vitin 92.

Së dyti, qeveria e tij hartoi një ligj për t’ia kthyer këto prona shtetit. Le të ndalemi fillimisht tek gjetjet e komisionit që verifikoi pronat e sindikatave. Ky është raporti që iu dorëzua qeverisë në vitin 2010. Ky raport tregon gjendjen që kishin pronat e sindikatave gati 20 vjet pasi iu ishin dhënë atyre.

Kjo është shtrirja e këtyre pronave sipas rretheve bazuar në raportin e vitit 2010.

Qarku Tiranë 18 prona, Qarku Korçë 17 prona, Qarku Elbasan 8 prona, Qarku Berat 5 prona, Qarku Fier 12 prona, Qarku Durrës 10 prona, Qarku Kukës 6 prona, Qarku Dibër 5 prona, Qarku Lezhë 13 prona, Qarku Shkodër 8, Qarku Vlorë 15 prona, Qarku Gjirokastër 4 prona.

Raporti cilëson se nga 125 objekte në të gjithë vendin, vetëm 45 prej tyre ishin të regjistruara në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pra, hipotekat nuk kishin asnjë të dhënë për këto prona.

“Edhe unë vetë gjatë punës kam pasur momente që habitesha se si ka mundësi që një objekt me këtë pozitë gjeografike, me këtë sipërfaqe të madhe nuk ka asnjë informacion në ZRPP. (Cfarë ka ndodhur që Informacioni nuk gjendet në ZRPP?) Nuk di të të them! Duhet të ketë një njollë të paktën, ose një hartë të kësaj prone për shkak se janë ndërtuar të gjitha para viteve ‘90”, tha Dhurata Çupi.

Në bazë të dokumentave që Top Story disponon, ne bëmë një verifikim për 4 prona të qarkut Tiranë.

1. Shtypshkronja “11 Shkurti”
2. Shtëpia e Kulturës “Josif Pashko”
3. Shtëpia e Kulturës “Kamez”
4. Shtëpia e Pushimit të Punëtoreve “Dajt” Vila dhe ish -Kampi i Pioniereve Dajt.

Për të katërta këto prona raporti i inventarizimit të qeverisë Berisha, në vitin 2010, shprehet se nuk u gjet asnjë e dhënë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluejtshme. Pra, këto prona nuk ekzistojnë në regjistrat e hipotekës.

Por, Top Story disponon një dokument që vërteton të kundërtën. Ky është një vërtetim pronësie i lëshuar nga Hiopteka e Tiranës në 15 mars, 1994. Dokumenti tregon pronat e regjistruara në emër Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Në regjistrin hipotekor nr 919, datë 15 mars 1994, në emër të bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë figurojnë të regjistruara:
– Shtypshkronja e sindikatave 11 shkurti.
– Pallati i Kulturës Kamëz.
– Shtëpia e Kulturës Josif Pashko.
– Pallati i madh i kampit të pionerëve në dajt, vila dhe trualli.

Pra, ky dokument thotë që Bashkimi i Sindikatave i ka regjistruar këto prona në Hipotekë. Ndërsa në vitin 2010, hipoteka i thotë komisionit të verifikimit se nuk ka asnjë të dhënë për këto prona.

Kjo situatë shpjegohet në 3 mënyra: Ose komisioni i inventarizmit ka gënjyer qeverinë. Ose hipoteka ka gënjyer komisionin. Ose varianti më i keq… dikush e ka zhdukur nga hipoteka regjistrimin e këtyre pronave.

Top Channel