Këtë “1 Maj” naftëtarë nga i gjithë vendi nënshkruan  në Kuçovë një peticion për ndryshimin e statusit të naftëtarit dhe rritjen e pagave. Përfaqësues të Sindikatës së Naftëtarëve dhe të ndërmarrjeve të naftës kërkuan nga qeveria mbajtjen e premtimeve, duke përmendur kushtet e vështira të punës së tyre.

“Dëshirojmë që profesionet të rishikohen edhe një herë, në mënyrë që naftëtarëve tu jepet haku. Naftëtarët janë shtresë e vuajtur, i kanë dhënë industrinë mbi 30% të prodhimit.

“Dua një përgjigje nga kryetari i sindikatës. Çfarë  është bërë për sa i përket ditëve të festave. Përse të mos i gëzojmë këto ditë”, tha një tjetër protestuese.

Kryetari i Sindikatës së Re të Naftëtarëve të Shqipërisë, Kostandin Kina ka kritikuar projektligjin për statusin e naftëtarit.

Një proteste e vogël  minatorësh u organizua në Pogradec ku të paktën 980 minatorë përballen me jetesën e vështirë, sëmundjet për shkak të profesionit të ushtruar për vite të tëra. Minatorët kërkojnë statusin e tyre

“Qyteti i Pogradecit ka pothuajse gjysmën e minatorëve që vuajnë me një pension qesharak”, tha një minator.

Ndërsa në Bulqizë sot ka vijuar puna në të gjithe minierat.

Përderisa nuk ka protestë, festë jo”, tha një qytetar. “Për ne duhet të protestohet, por nuk mund ta ngrenë zërin se shtypen nga pronarët”, tha një qytetar nga Bulqiza.

Ndërsa në Fier e vetmja proteste ishte e 43-vjeçarit Edmond Hoxha,  i cili i papunë del e proteston çdo vit.

“Unë dal për të gjithë ata që kanë ëndërr të mbushin barkun me bukë. Ëndrra e shqiptarëve kjo ka mbetur tani, që të mbushin barkun me bukë”,  tha Hoxha.

Që prej protestës së vitit të kaluar ai tregon se ka punuar vetëm 8 ditë por pavarësisht kësaj dëshira e tij është të mos largohet nga ky vend.

Parku i Viroit në Gjirokastër përfaqëson 90% të hapësirës së gjelbër të qytetit duke qenë kështu mundësia e vetme për të kaluar ditët e pushimit dhe fundjavat pranë natyrës por 1 Maji ka qenë tradicionalisht festa më tipike që lidhet me parkun e Viroit. Edhe këtë vit qindra qytetarë po e kalojnë ditën në park por mënyra si festohet ka ndryshuar shumë me vitet ndërsa atmosfera duket më e zbehtë në aktivitete këtë vit.

Top Channel