Aleatët e Bashës nga takimi në Presidencë dolën vetëm me mirëkuptimin e kreut të shtetit për situatën, por pa një datë se kur mund të mbahej tryeza e partive në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

“Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona. Në vlerësim të kërkesës sonë do të marrë qëndrimet e veta, në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si të gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit”, tha Mediu.

As Presidenca, në njoftimin për media, nuk dha një datë për një tryezë të mundshme pozitë-opozitë, por njoftoi se presidenti Meta nxit dialogun për të mos lejuar përshkallëzimin e krizës.

“Presidenti Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit, ku ka hyrë vendi. Kreu i shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës”, u tha në komunikatën e Presidencës.

Presidenti Meta – thuhet më tej në njoftim, – vlerëson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar për të gjetur zgjidhje, që do të rivendoste normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA