Jemi të angazhuar për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte i vetmi premtim i dhënë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, në konferencën e përbashkët për shtyp, para samitit të Berlinit.
Nga ky takim, ata kërkuan të bënin të qartë, se bisedimet në kryeqytetin gjerman nuk kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit, që është një proces në duart e Komisionit Evropian, por me diskutimin e situatave dhe problemeve në rajon.
“Ne kemi rënë dakord për këtë samit pasi jemi të angazhuar për perspektivën evropiane të rajonit, por dua të qartësoj, se kjo nuk ka të bëjë me negociatat e anëtarësimit, pasi ato drejtohen nga Komisioni Europian. Ky i sotmi ka të bëjë me një përpjekje për të parë situatat e ndryshme, në vende të ndryshme dhe për të rrahur këndvështrimet se si do të shkojmë drejt progresit”, tha kancelarja gjermane.
Merkel vlerësoi si hap inkurajues marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për emrin e kësaj të fundit, dhe nënvizoi se kjo mund të merret si shembull për t’u dhënë udhë edhe konflikteve të tjera.
Sipas saj, duhet punuar fort që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut, duke u mbështetur në këtë pikë edhe nga presidenti francez, Macron.
“Ne shpresojmë dhe urojmë të gjendet një zgjidhje që do ta kthejë Kosovën dhe Serbinë tek dialogu. Ne nuk duam të imponojmë zgjidhje, por duke parë nga e shkuara, të ecim drejt progresit”, tha presidenti francez.
Të tjera sfida janë, sipas Merkel e Macron, lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, ekonomia etj. BE sipas tyre është e angazhuar për një rajon të qëndrueshëm dhe të qetë, që ecën i sigurt drejt zhvillimit.
Top Channel