Fiks Fare denoncoi një skandal në Lushnje, ku në landfillin e këtij qyteti hidhen kafshë të sëmura me brucelozë dhe tuberkuloz, duke rrezikuar shëndetin e një lagjeje të tërë.

Disa banorë të lagjes “18 tetori” në Lushnje ankohen se në landfill hidhen lopë dhe mbetje të lopëve të prekura nga bruceloza dhe tuberkulozi. Lopët groposen pak, ndërkohë të brendshmet mbulohen me plehra. Gazetarët e Fiks Fare biseduan me shoferin e një fadrome që punon në landfill, i cili thotë se të brendshmet i mbulon ai vetë dhe banorët nuk dinë asgjë, se po ta dinë nuk i lejojnë. Madje, para disa ditësh, ai vetë ka groposur tre lopë.

Grupi i Fiks Fare xhiroi disa mbetje të kafshëve të pambuluara, të cilat janë hedhur kuturu në landfill. Ndërkohë, disa metra më larg, disa fëmijë luanin afër këtyre mbetjeve, duke rrezikuar të merrnin ndonjë virus. Fiksi transmetoi edhe disa pamje të xhiruara nga vetë banorët, në të cilat duket mjaft qartë se të brendshmet e lopëve nuk janë groposur, por janë hedhur në mes të plehrave.

Pak ditë më parë, sipas banorëve, disa lopë të ngodhura nga sëmundja e brucelozës dhe tuberkulozit janë groposur shumë afër shtëpive. Sipas banorëve, automjete të bashkisë kanë ardhur në landfill, kanë hapur një gropë të vogël dhe kanë hedhur kafshët e ngordhura.

“Këtu sjellin lopë të ngodhura, zorrë dhe plëndësa. Unë e kam 20 metra larg shtëpinë. Çunin e çoj në Tiranë se ka infeksione nga këto mbeturinat këtu. Zorrë e plëndësa i bie gjithmonë thertorja këtu. I kanë sjellë para 4-5 ditësh. Vjet kur ngordhi bashkia qentë, erdhi dhe i hodhi këtu. Nuk bëjnë gropë të madhe, por sa kap skrepi. Edhe këtë që kanë hedhur lopët, 30-40 pond e kanë bërë. Vijnë qentë dhe zhgrrysin, vijnë e luajnë qentë dhe e nxjerrin”, thotë Merita, një nga banorët e që banon në atë lagje.

Sipas saj, lopët e sjella në landfill janë të ngordhura. “Hodhën dy kova dhe’ dhe ikën. Mbetjet i sollën me një zetor të vjetër, ishte i bashkisë. Vijnë qentë dhe i hapin. Edhe afër shtëpisë sime gjen lëkura që i marrin qentë”, thotë ajo.

Gazetarët e Fiks Fare tentuan të flasin me shoferin e fadromës, i cili nuk pranoi të japë shpjegime. Ai pranoi se para disa ditësh në landfill janë hedhur të brendshme kafshësh që kanë ngordhur nga sëmundjet. Ndërkohë, në një bisedë me bashkëpunëtorët e Fiksit, ai thotë se mbetjet i sjellin nga thertorja. “Ato i mbuloj unë. Ata nuk i dezinfektojnë. Nuk dinë gjë banorët, se po ta dinë banorët i dalin përpara”, thotë ai.

Më tej, shton se para disa ditësh thertorja ka dërguar në landfill 3 lopë. “Sjellin vazhdimisht mbeturina, firma që ka landfillin e ka me qira, po e thirrin te bashkia dhe s’kanë nga ia mbajnë. Zorrët dhe plëndësat i mbuloj unë në plehra. Po kështu hedhin edhe mbetje spitalore, shiringa, shishe”, përfundon ai.

Fiks Fare bisedoi edhe me veterinerin e Bashkisë Lushnje, i cili thotë se bruceloza dhe tuberkulozi janë sëmundje ngjitëse. “Nëse prek 1, duhet të eliminohet e gjithë tufa. Ka pasur probleme dhe sëmundje pas viteve ‘90. Lopët e sëmura kanë ardhur nga fshati Tragjas i Vlorës, janë 60 krerë. Mbeturinat i kemi çuar në landfill, të brendshmet, kokat dhe këmbët”, thotë ai.

***

Bisedë me punonjësin e Landfillit, Lushnje

Fiksi – Na fikën me këta vaksinimet.
Punonjësi i landfillit – Ka probleme bagëtia, brucelozë? Izet Kasa quhem unë. Punoj traktorist tek plehrat e Lushnjes dhe këtu vijnë me therje tek thertorja dhe vinë e i groposin. Ja, para 5 – 6 ditësh, erdhën e groposen tre koka.
Fiksi – I bien të therme?
Punonjësi i landfillit – I bien të therme edhe të rrjepura.
Fiksi – Edhe këtu paska filluar?
Punonjësi i landfillit- Po, unë i gropos.
Fiksi – Te…
Punonjësi i landfillit – Te mbetjet. Firma nuk ka të drejtë t’i lejojë kërmat atje, firma e pastrimit. Thotë unë e kam me qira (fushën) plehrat. I ka marrë paratë bashkisë. Nuk i tregonte. Sherr e shamatë. Mbasanej vemë e bisedojmë me njëri-tjetrin thonë. Po ç’punë ke ti, i thotë ai atij të firmës, se u qelb vendi. I thotë, ç’punë ke ti? Po të bëhet vonë. Ti je në zyrë këtu. Ja u rregullua muhabeti. Dhe i sjellin. Vijnë këto me sëmundje, vijnë e shoqërohen me fadromë në vete, bashkë me doktorin e bashkisë. Kurse, këto plënca që vijnë, i marr unë përpara i gropos. Ato groposen, po prapë shesh është. Një ti hedh ca dhe sipër e ec.
Fiksi – Po kështu dezinfektim i hedhin?
Punonjësi i landfillit– Jo, jo.
Fiksi – I fusin direkt në tokë!?
Punonjësi i landfillit– Po.
Fiksi – Rrezik këtu hedhin edhe ilaçet e spitaleve, këtu tek ju?
Punonjësi i landfillit – Edhe ato vijnë këtu.
Fiksi – Mbetjet e spitalit?
Punonjësi i landfillit – Po, po edhe ato vijnë, me shishe e shiringa. Të shtunën sollën mbetje që i groposa unë, mbetje të thertores. Të mërkurën, mbas ca ditësh erdhën lopë. Thashë unë, si ka mundësi, kur erdhi fadroma përpara që do të hapte gropën.
Fiksi – Sa veteriner ka bashkia?
Punonjësi i landfillit – Tre janë, dy në thertore një në qendër.
Fiksi – Si i kanë lënë banorët me i gropos o vëlla?
Punonjësi i landfillit– Ku merr vesh banori, ku merr vesh banori.
Fiksi – I bien në mënyrë të fshehtë si duket?
Punonjësi i landfillit– Po të fshehtë, po të hapet muhabeti, se do vinë u dolën para, vijnë gazetarët e të gjitha.

***

Bisedë me veterinerin e Bashkisë Lushnje

Fiksi – Doktor si je? Do të pyes për problemin e brucelozës, di gjë ka këtë vite ka probleme?
Veterineri i Bashkisë Lushnje – Për brucelozën duhet të bësh vaksinën. Vaksina mbulon brucelozën zotni, nuk ka mjekime bruceloza. Bruceloza po u shfaq, aty je i detyruar të shuhet tufa komplet, do shuhet tufa komplet. Sepse një e sëmurë në tufë, pretendohet se është shumë ngjitëse ajo, shumë ngjitëse edhe kalon në karantinë. Paguan shteti në rastet e brucelozës. Problem ka dhe ka pasur miku im.
Fiksi – Që janë shfaqur dhe tani?
Veterineri i Bashkisë Lushnje – Po jo ore, probleme të brucelozës në Lushnje kanë qenë.
Fiksi – Ka qenë edhe më përpara?
Veterineri i Bashkisë Lushnje – Të paktën në periudhën e demokracisë dhe këtej. Se më përpara nuk është njohur asnjëherë bruceloza në kohën e monizmit. Sepse i nënshtroheshin vaksinave në mënyrë…
Fiksi – Takova njërin që punon tek mbeturinat më tha kena gropos ça je duke marrë në Lushnje më tha mua, tani i kena gropos.
Veterineri i Bashkisë Lushnje – Po, po kanë ardhur nga Vlora, kanë ardhur nga Vlora. Të shtunën u groposën, a të shtunë a të diel, diçka e tillë. Edhen nga Tragjasi i Vlorës. Erdhën 60 krerë nga Tragjasi i Vlorës.
Fiksi –Edhe i groposet aty?
Veterineri i Bashkisë Lushnje – Mbeturinat, të brendshmet e lëkurat, këmbët e të gjitha çfarë janë kokat.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA