Policia e Lezhës jep detaje të reja në lidhje me vrasjen e dy kushërinjve të parë në Laç Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi, 30 vjeç. Sipas të dhënave, thuhet se në krim janë përfshirë tre persona, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Motivi i vrasjes ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes 5 personave dhe për zbardhjen e rrethanave të krimit, policia shoqëroi 23 persona në cilësinë e dëshmitarit, apo që kanë dijeni për vrasjet.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se  ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Top Channel