Grupimi i partive të qendrës së djathtë, që janë njëkohësisht edhe aleatët e Partisë Demokratike, paraqitën sot një platformë për zgjidhjen e krizës politike. Duke i qëndruar besnikë marrëveshjes së firmosur për të qenë pjesë e një koalicioni opozitar, krerët e 5 partive të vogla, e shohin të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në platformën politike, Nard Ndoka i PDK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Dashamir Shehi i LZHK-së, dhe Fatmir Mediu i PR-së,  shohin si zgjidhje krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkurruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive të vogla.

Partitë  e lartpërmendura propozojnë realizimin e një marrëveshje politike kushtetuese, duke propozuar ; Thirrjen e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme nga 5 partitë aleate me PD, është reforma zgjedhore ;  votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.

Deklarata e plotë

Duke vlerësuar se situata politike në vend është shumë e rëndë dhe e paprecedent, sistemi ynë kushtetues Republikë Parlamentare, pothuaj ka rënë tërësisht dhe transformuar në Republikë e Kryeministrit Rama;

Duke u ndodhur përballë pamundësisë politike dhe ligjore për të ndalur veprimet antikushtetuese të qeverisë dhe mazhorancës socialiste për mëse 2 vjet, për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese

Duke vlerësuar qëllimin e Reformës në Drejtësi, si mundësi për krijimin e një drejtësie të pakorruptuar dhe të pavarur, por që u deformua qëllimisht nga Rama, për ta kontrolluar politikisht, me pasoja të rënda mbi të drejtat e qytetarëve, për shkak të pamundësisë së tyre për gjykimin në kohë të mijëra çështjeve administrative,  civile dhe penale, mungesa e një proçesi të drejtë gjyqësor, për shkak të mos funksionimit për mëse 2 vjet të Gjykatës së Lartë (duke dysfishuar numrin e dosjeve që presin për gjykim).

Duke vlerësuar me shqetësim gjendjen e rëndë në vend, korrupsionin masiv, trafikun e drogës, përhapjen dhe fuqizimin e krimit shqiptar, siç vlerëson edhe raporti i fundit i DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit);

Konstatimi se këto grupe kriminale në shumë qarqe të vendit, jo vetëm janë të paprekshëm, por zotërojnë potencial njerëzor aktiv kriminal dhe kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe investimeve publike të lidhura me korrupsionin qeveritar;

Duke dënuar kontrollin politik mbi Prokurorinë, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe mos hetimin e krimeve elektorale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve nga grupe kriminale dhe kartelet e drogës, në marrëdhënie dhe shërbim të pushtetit absolut të Ramës;

Duke vlerësuar se eksodi masiv ka marrë përmasat e një spastrimi të shqiptarëve, me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale;

Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkuruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit.

Partitë tona të Qendrës së Djathtë, në respekt të marrëveshjes së nënshkruar me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, jashtë ndikimit të grupeve kriminale dhe qeverisë të lidhur me to, të angazhuar për t`a kthyer vendin në binarët kushtetues dhe plotësuar detyrimet e vendosura nga BE:

Partitë tona, si Grupim i Qendrës së Djathtë (GQD) të përbërë nga; PR, PAA, PBDNJ, LZHK dhe PDK, propozojnë realizimin e një Marrëveshje Politike Kushtetuese, duke propozuar sa më poshtë:

1-       Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.

Bazuar në Nenin 86/1, Presidenti është garant i unitetit të popullit. Ky unitet garantohet nga respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, në respekt të Kushtetutës.

Neni 1 i Kushtetutës sanskionon se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, po shkatërron parimin themelor e kushtetues të pluralizimit.

 

  • Kjo tryezë të vlerësojë kushtet dhe kërkesat e OSBE/ODHIR për të shmangur shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe përdorimin e Administratës Shtetërore.
  • Kontrolli mbi territorin dhe proçedimi i grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës.
  • Proçedimin penal nga ana e Prokurorisë të dosjeve të bëra publike nga media, për manipulimin e zgjedhjeve.
  • Vlerësimin e skadimit të afatit të kartave të identitetit dhe paisjen e qytetarëve me karta.
  • Vlerësimin e përjashtimit nga lista të mbi 270,000 votuesve.

2-       Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakortësi politike.

Data e zgjedhjeve të përcaktohet në përputhje me detyrimet dhe implementimin nga qeverisja tranzitore, e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shkëputjes së strukturave të Shtetit nga krimi i organizuar.

3-       Reformë zgjedhore e cila ndalon finacimin e paligjshëm, dënon jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve.

 

4-       Kthimi i Parlamentit në një Parlament përfaqësues dhe kushtetues, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një sitemi zgjedhor dhe  votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.

5-       Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.

6-       Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj, për të mundësuar kthimin e Republikës Parlamentare dhe funksionimin e saj, bazuar në pavarësinë dhe balancimin e pushteteve.

7-       Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi, funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm, për t`i bërë ato funksionale, duke zhvilluar një proçes për të  garantuar integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre.

8-       Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe  deputetëve.

9-       Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

10-     Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.

11-     Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.

12-     Rishikimi i Reformës Administrative, për t`a çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.

Nëse do të shohim përbërjen e këshillave bashkiakë, mbi 95% e tyre janë nga qendrat urbane, duke lënë të papërfaqësuar pjesën më të madhe të popullsisë. Partitë tona angazhohen në dialog me forcat e tjera politike, duke qenë të hapur për qëndrimet dhe gjykimet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA