Amfiteatri i Tiranës në Parkun e Liqenit çel mbrëmjen e sotme në orën 19:00 siparin e koncerteve dhe të aktiviteteve të shumta social –kulturore. Në Ditën Botërore të Vallëzimit, Bashkia e Tiranës përmes APR-së do të nisë sezonin artistik në Amfiteatër me Brass Dance ku hyrja do të jetë e lirë për të gjithë të dashuruarit pas muzikës së bukur, por edhe vallëzimit.
Ky koncert do të vijë në një format ndryshe, ku për herë të parë Banda e Qytetit do të shoqërohet në numrat e saj edhe nga performanca e balerinëve. Pjesë e shfaqjes do të jenë numra të përzgjedhur të repertorit më të njohur botëror.
Amfiteatri i Tiranës (rindërtuar nga Bashkia e Tiranës në maj 2018) është arena më e madhe e kryeqytetit me një kapacitet prej 1334 vendesh.
I pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm mirëpret publikun me koncerte, festivale, teatër, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të Tiranës në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.
Top Channel