Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë në burg dy personat e arrestuar, si të dyshuar për ekzekutimin e vëllezërve Bilali, më 30 mars.

Arsen Stojku dhe Mislim Rama akuzohen se, në bashkëpunim me Ibrahim Licin, që është në kërkim, kanë vrarë Astrit dhe Brahim Bilalin në lagjen “Kiras”.

Në gjykatë, dy të arrestuarit mohuan çdo akuzë. Por, sipas burimeve nga grupi hetimor, gjurmët e tyre janë gjetur në automjetin, të cilit iu vu zjarri pak metra larg vendit të krimit.

Ndërhyrja e e zjarrfikësve bëri të mundur që mjeti të mos shkrumbohej totalisht. Pas akteve të ekspertizës rezulton se, të dy të arrestuarit e kanë modifikuar automjetin me të cilin u krye vrasja, duke i ndryshuar ngjyrën, por këto akuza dy të ndaluarit nuk i pranuan.

Përveç mjetit të djegur është sekuestruar edhe një makinë tjetër, tip Golf, e marrë me qira në Vaun e Dejës pak ditë para vrasjes. Me këtë mjet, sipas Prokurorisë, autorët janë larguar drejt Durrësit një ditë pas vrasjes së dyfishtë.

Zyrtarisht policia nuk jep detaje, por mësohet se vrasja e tipit mafioz po hetohet si një ekzekutim për hakmarrje, pjesë e luftës së nisur mes dy fiseve të njohura në botën e krimit në Shkodër. Viktimat kanë lidhje me një tjetër vrasje, të ndodhur pak kohë më parë në këtë qytet.

Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, një anëtar i dyshuar i bandës “Bajri”, i cili mendohej se ishte shënjestra e vërtetë e atentatit ku mbeti i vrarë disa muaj më parë Arjan Ferracaku.

Top Channel