Është një sipërmarrje ambicioze ajo në të cilën është hedhur Ron Howard: të tregojë jetën dhe karrierën e një prej tenorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Luciano Pavarotti.
“Pavarotti, gjeni përgjithnjë” është një dokumentar që përmes dëshmive, intervistave, videove të performancave të famshme dhe xhirimeve të patransmetuara më herët, tregon anën publike të tenorit të madh, por edhe aspektet e tij më intime dhe private.
Howard ka rrëmuar në arkivat e familjes nga ku ka dalë me një seri filmimesh të paharrueshme, si ai me tre tenorët dhe video të papara më herët për të nxjerrë në pah humanizmin e personit që me frikën dhe pasiguritë e tij, por edhe me një personalitet të fortë dhe karizmatik, ishte në gjendje të dhuronte emocione të forta.
Një Luciano Pavarotti siç nuk e kemi parë asnjëherë, me dobësitë e tij, si ankthi që e përfshinte para çdo koncerti. “Do të vdes”, thoshte sa herë ngjitej në skenë.
Karakteri dhe humanizmi i tenorit të madh rrëfehen edhe nga ata që e njihnin mirë, si Bono i U2, Placido Domingo dhe Jose Carreras.
Top Channel