Kosova dhe Serbia, në prag të takimit të Berlinit

28/04/2019 18:33

Të hënën në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, do të takojnë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme si ai kinez në rajon, por, në qendër të diskutimeve, do të jetë çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nisma e të dy udhëheqësve të lartë evropianë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur bisedimet u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Serbia thotë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Nuk janë dhënë hollësi nga organizatorët se çfarë mund të bisedohet saktësisht të hënën, por takimi ka nxitur interesim dhe mjaft spekulime rreth tij.

Ditë më parë e përditshmja austriake, Der Standard, shkroi se sipas diplomatëve “qëllimi i takimit është që të varroset ideja për shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Idetë e tilla u hodhën që në verën e vitit të kaluar duke nxitur ndarje jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta mbështesnin ndryshimin e kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që kundërshtojnë një gjë të tillë për shkak të pasojave që mund të ketë në rajonin e Ballkanit.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve.

Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Sipas medieve, Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në Prishtinë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, thanë se nuk presin ndonjë plan të veçantë, por një përpjekje për të ringjallur procesin që duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi, tha të dielën se takimi nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë së veriut dhe Greqisë.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, që hap perspektivë për fqinjësi të mirë e njohje reciproke, por jo dialog të kushtëzuar nga Serbia. Pres të dënohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë edhe nga organizatorët e takimit. Dihet se ne çdo ditë, po marrim pjesë në ceremonitë e ndryshme ku shteti i Serbisë ka kryer gjenocid në Kosovë. Do të kemi përballë një Serbi gjenocidale. Në anën tjetër do të vazhdojmë të rikonfirmojmë zotimin tonë për reforma të ndryshme në çdo aspekt. Do të tregojmë zotimin se duam të lëvizim më shpejtë e të ecim drejt së ardhmes evropiane e në NATO”, ka thënë Thaçi, ndërsa nënvizoi se pozicioni i Kosovës në Berlin është pozicion i një vendi të pavarur e sovran.

“S’pres aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, theksoi ai.

Ai i ka hedhur poshtë pohimet se në Berlin mund të propozohet ndonjë formë e “sovranitetit të dyfishtë” mbi veriun e Kosovës të banuar me shumisë serbe.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikan rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”.

Në Prishtinë ndërkaq thuhet se pa mbështetjen amerikane, nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të qëndrueshme dhe të zbatueshme.

Top Channel