Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të këtij qyteti, prefektin Gledian Llatja, duke konfirmuar sërish se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

“Më 30 qershor në Elbasan do bëhet një festë e madhe, ku do falënderojmë Qazim Sejdinin dhe do japim bekimin për Gledin, i cili do bëjë edhe më shumë për këtë qytet, nën drejtimin e Partisë Socialiste. Do bëjmë për Elbasanin këto 4 vitet e ardhshme, edhe më shumë se ç’bëmë në këto 4 vite”, tha Rama.

Duke përdorur notat e humorit dhe duke iu referuar skuadrës holandeze të Ajaxit, që eliminoi Juventusin e tij në Ligën e Kampionëve, Rama theksoi se Partia Socialiste do të fitojë të gjitha bashkitë e vendit.

Të jeni të sigurt që Ajaksi mund të dalë kampion Evrope, por kampion këtu ka qenë dhe do të mbetet Partia Socialiste. Ajaksi mund ta marrë kupën e kampioneve dhe mund ta meritojë, por bashkitë e Shqipërisë do i drejtojë Partia Socialiste nga Kukësi deri në Skrapar, nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë. Të gjitha do t’i marrim, sepse kudo do bëjmë më shumë për njerëzit”, tha Rama.

Top Channel