Një ditë më parë partitë e vogla opozitare LZHK, PAA, PBDNJ, PDK dhe PR zhvilluan një takim me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, për të cilin Fatmir Mediu i ftuar në Top Talk tregoi se kanë kërkuar një takim dhe krijimin e një tryeze me Presidentin Meta, për të parashtruar edhe një sërë propozimesh që përfshijnë ndryshime rrënjësore të Kushtetutës.

Në studion e Top Talk, Fatmir Mediu tregoi edh edisa prej propozimeve që grupi i ri i partive të vogla brenda opozitës do të kërkojë për të ndryshuar Kushtetutën.

Një prej pikave të diskutimit që ata do të hedhin në tryezë është përcaktimi në Kushtetutë që 6 muaj para zgjedhjeve të ketë qeveri kujdestare. Por siç thotë Mediu kjo marrëveshje s’mund të jetë vetëm për zgjedhjet, por ka nevojë që të diskutohet në thelb funksionimi në thelb i politikës.

“Për t’i kthyer Kushtetutshmërinë Kuvendit, duhet që shqiptarët ta dinë se nga kush përfaqësohen. Një sistem zgjedhor i hapur, qoftë propocional. Për mua duhet rishikuar i gjithë këndvështrimi Kushtetues i vendit. Duhet të limitojmë në dy mandate, mandatin e kryeministrit, në 3 mandate deputetin. Presidenti i Republikës duhet zgjedhur nga populli”, tha Mediu.

Më tej ai u ndal edhe tek Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij do të ketë kriza pa fund, “Mund të krijohet Senati, për të krijuar filtrin e nevojshëm legjislativ”, tha Mediu.

Top Channel