Ka shkuar në 6 numri i të arrestuarve për grabitjen e Rinasit. I dyshuari i radhës është Ragip Hajdini, nga Kosova, i prangosur në Kavajë me dyshimet se është njëri nga bashkëpunëtorët e kësaj ngjarjeje të bujshme. Ai është përshkruar nga Alkond Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

  Kosovari i “Rinasit”, i proceduar edhe për grabitje ari në Policinë e Pejës

Top Channel disponon vendimin e zbardhur të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në të cilin për herë të parë del versioni zyrtar mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Aeroportin e Rinasit dhe për dyshimet për secilin nga personat e arrestuar të paktën deri më tani. Në vendimin e zbardhur tregohet dinamika e grabitjes, në të cilën përshkruhet se 5 persona të veshur me kamuflazh hynë në Aeroportin e Rinasit dhe grabitën prej andej një shumë, e cila në fakt nuk përcaktohet ende nga grupi i hetimit, për shkak se nuk ka ende një përgjigje nga bankat mbi sasinë e grabitur.

Për grabitësin e vrarë, Admir Murataj, në vendim thuhet se i është gjetur një granatë dore e montuar me ndezës, granata tymuese, automatik me fishekë në fole dhe një aparat që shërbente për bllokimin e valëve.

Por, i pari që është identifikuar si i dyshuar është Alkond Bengasi, i cili është tradhtuar nga një gjurmë gishti e zbuluar në mjetin “Chevrolet”, ashtu siç Top Channel ka raportuar më herët. Bengasi tregon se ishte pyetur nga policia për vrasjen e avokatit Ravik Gurra, e më pas Klement Çala i kishte shkuar në shtëpi. Duke e paralajmëruar të bënte kujdes, se mos policia i vendoste përgjues, Klementi i ka thënë: Do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë!

“Unë kuptova pas grabitjes – shprehet Bengasi, – se në këtë ngjarje kishin marrë pjesë Admir Murataj dhe Klement Çala”. I dyshuari shpjegon se, menjëherë pas ngjarjes kishte fikur telefonin, pasi kishte frikë.

Prokuroria shpjegon se gjatë hetimeve për njohje personash me fotografi, ai ka identifikuar përmes fotove të dyshuarit e tjerë, që ishin gjendur në drekën te “Shkëmbi i Kavajës”. Dy prej tyre, të arrestuar në vazhdim, në përgjimin ambiental në polici diskutojnë me njëri-tjetrin:

Saimir Çela: Çfarë tersi, e dija.
Renaldo Sula: E kanë marrë vesh ata? Qysh t’ia bëjmë?
Saimir Çela: Mos thuaj gjë.

Alkond Bengasi tregon se, të kërkuarin Klement Çala e ka kushëri dhe pas arratisjes nga Greqia, edhe pse i shumëkërkuar, ai së bashku me Admir Muratajn kishin hapur një restorant te “Liqeni i Thatë” në Tiranë, një zonë në të cilën ishte shpërngulur edhe vet i dyshuari, pak muaj para se të ndodhte sulmi në aeroport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA