Dhimitër Anagnosti i ka fjalët e pakta. Mjeshtri i kinemasë gjithmonë thotë që puna e tij flet vetë. Dhe kësaj here ai flet sërish nëpërmjet botimit të tij më të fundit: “Ulliri, pema e dhumbjes”.
Aty ka etyde, skica, rrëfime, tregime e novela. Në një takim mes miqsh dhe bashkëpuntorësh ndër vite, ai përcolli emocione të reja, edhe pse fjalët i kishte të pakta: “Është kënaqësi të bësh bashkë miqtë. Që pas kësaj pune të kemi edhe të tjera punë. Si ajo punë krijuese që kemi bërë dikur. Kështu mund të bashkëjetojmë dhe të bashkohemi përmes artit për artin. Shqiptarët kanë identitet të mrekullueshëm, kanë talente dhe shpresojmë që të vazhdojmë të kemi shkrimtarë, piktorë, muzikantë dhe kineastë të mirë”.
Bashkëshortja e tij priti miqtë dhe nëpërmjet fjalës së saj theksoi se kjo vepër, përveçse falenderimit për bashkëpuntorët, disa prej të cilëve ishin në promovim, ishte sidomos edhe një homazh për ata që s’janë më: “Ishte një nxitje e brendshme dhe mesa duket erdhi momenti që Dhimitri të na përcillte emocione të reja. Vepra është ndërtuar si spektakël. Është në sintezë. Ashtu si di të flasë ai. Nëpërmjet kësaj dua të kujtoj të gjithë artistët që janë këtu, që kanë bashkëpunuar me Anagnostin, por edhe një homazh për të gjithë ata që nuk janë më”.
Kineasti flet për nënën e tij, për peronazhe të tjerë dhe rrëfimi i tij është i ndjeshëm dhe origjinal.
Top Channel