
Mijëra qytetarë dhe besimtarë në Korçë kremtuan të Premten e Zezë e cila simbolizon edhe vdekjen e Krishtit në Kryq.
Në mbrëmje u zhvillua edhe procesioni i varrimit simbolik të Krishtit. Ashtu siç e do tradita, shume pjesëmarrës të besimeve të ndryshme iu bashkuan ceremonisë duke ndjekur kortezhin në rrugët kryesore të qytetit.
Në sfondin e një muzike funebre nga banda e qytetit, besimtarët kanë parakaluar nga njëra kishë në tjetrën për të bashkuar epitafet e 7 kishave tek sheshi para Katedrales’Ngjallja e Krishtit’.
Ceremonia vijoi me ritualin e përvitshëm, kalimin nën epitaf duke u lutur për më shumë paqe dhe dashuri. Edhe besimtarët ortodokse në Fier kanë kremtuar të Premten e Zezë . Ashtu si në Korçë besimtarët kryen ritualin e kalimit poshtë epitafit, në ditën që simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në Kryq.
Qindra qytetarë në Fier kanë ndjekur procesionin e organizuar nga Mitropolia.
Nisja është bërë nga Kisha e Shën Gjergjit në shoqërimin e bandës frymore të qytetit duke kaluar nëpër bulevard e ku përgjatë tij i janë bashkuar edhe shumë kalimtarë.
Top Channel