Kjo këtu është një dëshmi e Kishës Autoqefaqe Ortodokse të Shqipërisë, sipas së cilës thuhet se Aleksandër Moisiu ishte një shqiptar i krishterë. Ai e kërkoi këtë dëshmi për të shpëtuar prej persekutimit nazist, i cili nisur edhe nga mbiemri i tij dyshonte se mund të ishte me prejardhje hebreje.

Aleksandër Moisiu sigurisht që nuk ka pasur një jetë të lehtë. I është dashur të bëjë edhe punë të rëndomta, apo ndonjëherë të flejë pa u ushqyer, por ai ishte aktori numër një i skenës gjermanishtfolëse.

“Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”, është ekspozita e celur në COD në kryeministri, e cila prezanton foto dhe dokumenta të panjohura më parë mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7- vjeçare.

“Kjo është vajza e Tostoit me mbesën e Tolstoit. I ka ftuar në Vjenë e kanë jetuar në shtëpinë e tij. Thonë që ka pasur marrëdhënie me këtë vajzën e re”, Tha Pjetër Logoreci.

44 foto të printuara në kanavacë tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentat e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër.

“Këtu është në kohën e lirë. Kokoshka, një mik i tij, është duke i bërë një portret. Kjo është në krematort e Vjenës. Sepse trupi i tij është djegur. Prandaj trupi këtu është me shina dhe ulet në zjarr. Kjo kurora këtu është kurora e Musolinit që i ka sjellë kur vdiq. Ka pasur miqësi dhe disa herë ka shkuar në Romë për të luajtur për Musolinin.

Kur kam pasur në dorë maskën e vdekjes ka qenë një emocion i papërshkrueshëm. Doja të ulesha në gjunjë të lutesha për të”, tha ai.

Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht Aleksandër Moisiu ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë ftesat për takime që i dërgoi komuniteti shqiptar. Shumë herë ai i kishte shfaqur dëshirën për një vizitë në Shqipëri si dhe për të patur shtetësinë.

Gjigandë të artit botëror si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e tij. Stefan Cvajg shkruan për të: “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshem”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 maj .

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta