Austria do të mbështesë Shqipërinë për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Kjo u konfirmua gjatë vizitës së ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili u takua me homologen Karin Kneissl, e cila tha se progresi i Reformës në Drejtësi dhe fushave të tjera duhet të vlerësohen dhe të merren në konsideratë.
“Autoritetet shqiptare kanë bërë një përparim tejet të mirë. Kjo duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet. Sa u përket bisedimeve të ardhshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Vjena dhe qeveria jonë janë gjithmonë për të dhënë mbështetje. Kjo, sepse ne mendojmë që pjesën juglindore të Europës duhet ta marrim në konsideratë edhe për çështje që lidhen me emigracionin e sigurinë, për ta bërë Bashkimin Europian më të sigurtë”, tha Karin Kneissl.
Ministri Gent Cakaj u shpreh se kjo vizitë shërbeu për të shtrirë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera.
“Së pari diskutuam për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik. Pika e dytë e takimit ishte diskutimi për perspektivën europiane të Shqipërisë, e me këtë rast morëm mbështetjen e pakushtëzuar të palës austriake për hapjen e negociatave për anëtarësim në qershor të këtij viti. Në fund diskutuam po ashtu për kryesimin e OSBE-së në vitin 2020, gjë për të cilën përveç mbështetjes politike kemi siguruar edhe asistencën teknike, me kuadro diplomatikë e profesionalë nga ana e palës austriake”, tha ministri në detyrë i Jashtëm, Cakaj.
E ndërsa Austria është pro zgjerimit të Bashkimit Europian me vende si Shqipëria apo të tjera nga rajoni, diplomacisë shqiptare do t’i duhet shumë punë të bindë vendet skeptike si Holanda.
Top Channel