Kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, ka paditur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës disa persona publikë, duke i akuzuar për fyerje dhe shpifje ndaj personit të tij.

Tufa ka paditur kontretisht Spartak Brahon, Sabit Brokajn, Shaqir Vukajn, Arben Dukën, Fatos Tarifën dhe gazetën Dita.

“Kjo është bërë për shkak të detyrës dhe dëshirës së një segmenti të trashëgimisë Enveristë, të cilët kërkojnë rikthimin e diktaturës më të pistë të shekullit. Përmes padisë unë kërkoj që drejtësia e shtetit tonë t’i vendosë përpara provave të pakundërshtueshme dhe tu gjej vendin shpifjeve dhe kërcënimeve dhe frymës përçarës rracore mes shoqërisë tonë për rikthimin edhe më të egër të luftës së klasave”, u shpreh Tufa në një deklaratë për mediat.

I pyetur lidhur me “dosjen e Gramoz Ruçit”, ai u shpreh: “Unë ende nuk di ndonjë fakt, nëse do të kishim një dijeni do ta trajtonim në respekt të ligjeve. Unë flas këto që janë aktualisht të dukshme dhe që nuk kam nguruar ti bëj publike. Kjo është një çështje që i përket një institucioni më të specifikuar që merret me gjërat personale. Për këtë çështje mund të merret Autoriteti i Hapjes së Dosjeve. Vazhdimisht kam pasur presion. Presion në punë, presion halabakësh, presion nga makina në makinë, presion me mesazh, pra të gjitha format e presionit që mua vetëm sa më zbavitin”.

Libri “Krimet e Komunizmit”, shkruar nga Çelo Hoxha, ku bëhen përgjegjës drejtuesit e fomacioneve partizane për krimet e luftës, ka nxjerrë sërish në skenë ndarjen e “thellë” për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në librin që përkon me periudhën 1941-1945 janë publikuar 265 emra, të cilët, sipas autorit të librit, janë përgjegjës për “krimet e luftës” së asaj kohe.

Ky libër është botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa, e që si nënkryetar ka Çelo Hoxhën, autorin e librit.

Kjo “listë e zezë” dhe periudhën që ka përfshirë ka ngjallur zemërimin e deputetit Spartak Braho.

Në mbledhjen e datës 2 prill, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku në shqyrtim ishte projektrezoluta për veprimatarinë e ISKK-së për vitin 2018, deputeti socialist ka kërkuar shkarkimin e Agron Tufës. Braho ka akuzuar Tufën për mënyrën e drejtimin të institucionit, botimet e së cilës sipas tij janë “të paligjshme” dhe vetë Insituti është kthyer në “seksion të Ballit Kombëtar”.

Tufa, sipas Brahos po “nxin” historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare dhe heronjtë e saj.

Qëndrimi kritik i Spartak Brahos nuk reflektoi në rezoluten e Kuvendit për Institutin. Në draftin e miratuar në Komision vlerësohet puna e tij për vitin 2018.

Por vet Tufa nuk e ka lënë me kaq replikën e Spartak Brahos. Ai e ka akuzuar atë se ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë.

Në një postim në rrjetin e tij Facebook, Tufa ka shkuar edhe më tej, duke publikuar një dokument që tregon dënimin kapital të dhënë nga Spartak Braho gjatë periudhës komuniste. Braho ka vijuar replikën, duke e akuzuar atë dhe Gazment Kapllanin si vrasës me pagesë.

Pas ditësh të tëra akuzash dhe kundërakuzash me tone të forta, drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ka hedhur në gjyq Brahon, që e konsideron si “çanta e zezë” me akuzën “krime kundër njerëzimit”.

Top Channel