Pas takimit me partitë e vogla opozitare , ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt theksoi sot se ndryshimi i datës së zgjedhjeve është një proces i ndërlikuar.
“Për momentin e sigurt është që kemi një datë zgjedhjesh 30 qershor. Ndryshimi i datës është një proces shumë i ndërlikuar”, tha Borchardt në një prononcim për mediet.
I pyetur nëse shtyrja do të ishte një zgjidhje, ai tha se, “sigurisht që shtyrja e zgjedhjeve ndodhi në 2007-n, por a është kjo një zgjidhje e mirë? Kjo është diçka që duhet ta vendosin aktorët politikë në vend. Pastaj, vetëm shtyrje? Çfarë do të ndryshonte kjo?”.
Borchardt u shpreh se OSBE inkurajon palët politike të gjejnë një zgjidhje, por u takon atyre të gjejnë zgjidhjen e duhur.
“Inkurajojmë partitë politike të gjejnë një zgjidhje, t’u tregojmë atyre se cilat zgjidhje funksionojnë më mirë se të tjerat, por u takon atyre të vendosin zgjidhjen. Se cila zgjidhje funksionon në një vend, ky është një vendim që i takon sovranit dhe një vendimi sovran. Politikanët vetë duhet të marrin vendimin e tyre për një zgjidhje”, tha Borchardt.
Më herët, kreu i OSBE-së Bernd Borchardt pati një takim me drejtuesit e disa partive opozitare, PDBNJ, PR, PAA dhe PDK
Top Channel