Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkoski, i ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë proces votues demokratik, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin.

“Komisioni do të bëjë gjithçka që të jetë i suksesshëm, por këtë duhet ta bëjnë edhe pjesëmarrësit e tjerë. Në fund të ditës le të fitojë më i mirë, ai për të cilin do të vendosin qytetarët, në rrethin e parë e pastaj edhe në rrethin e dytë”, ka deklaruar Derskoski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përmes një video-mesazhi ka thënë se policia është e përgatitur për të siguruar proces zgjedhor demokratik dhe pa incidente.

“Të dielën secili nga ne do të ketë mundësinë që të shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në zgjedhje. MPB-ja do të përcjellë procesin zgjedhor me të vetmin qëllim që dita e votimit të jetë e qetë ashtu siç i takon një shoqërie demokratike”, ka deklaruar Spasovski.

Zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Në KSHZ janë regjistruar 3150 persona ndërsa numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, derisa 400 do të jenë të huaj.

Fushata elektorale e kandidatëve për president ka zgjatur 20 ditë. Ajo kryesisht ka qenë e qetë dhe demokratike, por me akuza të ndryshme mes partive. Kandidatët kryesisht janë përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës, integrimin evropian, raportet ndëretnike, gjyqësorin, ekonominë si dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Top Channel