Maqedonia e Veriut zhvillon sot raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në procesin e parë zgjedhor që mbahen nën emrin e ri të vendit, i cili gjithsesi përballet me probleme afatgjata ekonomike, nepotizëm dhe korrupsion.

Votimi për postin kryesisht ceremonial vjen më pak se 3 muaj pasi marrëveshja historike me Athinën për ndryshimin e emrit hyri në fuqi, duke i dhënë kështu fund një ngërçi disadekadësh identiteti mes vendeve fqinje.

Mosmarrëveshja lindi pikërisht në momentin e mëvetësisë së vendit nga Jugosllavia në vitin 1991, kur deklaroi se do të quhej Maqedoni përkundër kundërshtive të Greqisë, e cila ka gjithashtu një rajon të sajin verior me të njëjtin emër.

Kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për t’i shtuar “e Veriut” emrit të Maqedonisë, duke i dhënë fund kështu grindjes 27-vjeçare. Marrëveshja u finalizua në janar, pas një beteje të gjatë politike dhe opozitarizmit të ashpër të nacionalistëve në të dyja anët e kufirit.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina deklaroi se nuk do të pengonte më Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për integrim euroatlatik, pra për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Europian.

E ndërsa udhëheqësit europianë festuan marrëveshjen e emrit, njerëzit e zakonshëm atje nuk e shfaqin kaq hapur entuziazmin e tyre. Shkupi shpreson të nisë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian këtë qershor, por analistët thonë se elektorati prej 1.8 milionë banorësh i vendit është më shumë i shqetësuar për problemet e të ushqyerit.

Paga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut është 400 euro, ndërsa papunësia sipas shifrave zyrtare i kalon 20 për qind, sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave. Shumë votues, të thirrur në proces për të zgjedhur mes tri kandidatëve, “duan t’iu dërgojnë mesazh atyre që nuk duan të dëgjojnë”, ka thënë analisti politik Arsim Zekoli për “AFP”-në.

“Qytetarët ndihen të manipuluar nga kushdo dhe janë të pakënaqur”, thotë Meri Jordanovska, një reportere investigative. “Nuk mund të vazhdojmë t’iu shërbejmë historinë e BE-së dhe NATO-s përgjithmonë”, shtoi ajo.

Edhe mes atyre që pranuan ndryshimin e emrit, shumë prej të cilëve me ngurrim, janë bindur vetëm nga premtimet për t’u afruar me BE-në, një kthesë që shpresojnë se do të sjellë prosperitet dhe do të forcojë sundimin e ligjit në vend.

Kandidati i socialdemokratëve (LSDM) në pushtet, Stevo Pendarovski këmbëngul mbi agjendën europiane. “Të votosh Pendarovskin (56 vjeç) do të thotë të votosh për edukim europian, paga europiane, një standard europian jetese”, do të shprehej kryeministri Zaev.

Por, nëse Pendarovski humbet, apo nëse pjesëmarrja është më e ulët se 40 për qind, sa ç’kërkohet që votimi të jetë legjitim, Zaev do të pësojë një goditje të fuqishme. Një rezultat i tillë do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe do t’i hapte rrugën destabilitetit në vendin e paqëndrueshëm ballkanik.

Sfiduesit e Pendarovskit janë Gordana Siljanovska-Davkova, e ekstremit të djathtë, e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE në opozitë; si dhe Blerim Reka që përfaqëson një pjesë të shqiptarëve, me mbështetjen e BESA-s dhe Aleancës për shqiptarët. Ky i fundit, një pedagog juridiku 59-vjeçar, kërkon mbështetjen e rreth 20-25% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, që janë shqiptarë.

Pendarovski gëzonte një epërsi të lehtë në sondazhet për garën për të zgjedhur pasuesin e nacionalistit në detyrë, Gjorge Ivanov, të cilit i ndalohet të garojë sërish pas dy mandateve 5-vjeçare. Por sondazhet parashikojnë një raund të dytë, që do të mbahet më 5 maj nëse do të shkohet vërtet, mes Pendarovskit dhe Siljanovska-Davkovës. Kjo e fundit, një juriste 63-vjeçare kundërshton emrin e ri të vendit, por ka thënë se do ta “respektojë” marrëveshjen nëse zgjidhet presidente.

Të shtunën, një ditë përpara zgjedhjeve, ushtruan të drejtën e tyre të votës 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, 7 të shpërngulur brenda vendit, si dhe gati 3.600 të sëmurë e të moshuar, të cilët e kanë kërkuar këtë nga komisionet komunale zgjedhore.

Top Channel