Besimtarët katolikë po kremtojnë ringjalljen e Krishtit në një meshë të udhëhequr nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, imzot George Frendo, në Katedralen “Shën Pali” në kryeqytet.

Me ritet e natës së Pashkëve, besimtarët kremtojnë ngjarjen e madhe, që në besimin e tyre ndryshoi rrjedhën e historisë së njerëzimit. Kremtojnë fitoren e Krishtit mbi vdekjen, ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen.

Për katolikët, nata e Pashkëve është “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”, sepse natën e Pashkëve, kisha mbarë i kumton njerëzimit ngjalljen e Krishtit.

Triditëshi i Pashkëve arrin kulmin në natën që kremtohet ndërmjet së “shtunës së madhe” e të “dielës së ringjalljes”. Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi është shfaqur në tokë.

Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës për besimtarët. Është nata më e pasur me fjalë e simbole, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes, si dhe shpresën që ngjallet në zemrat e të gjithë atyre të cilët besojnë.

“Krishti u ngjall!” është thirrja që jehon në terrin e natës së Pashkëve dhe shënon kulmin në kremtimin eukaristik.

Top Channel