Studentët e Universitetit të Tiranës shprehen entuziastë që më në fund do të mund të pajisen me kartën e studentit në muajin maj.

Modeli i kartës i lancuar këtë javë nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmbush një tjetër zotim të Paktit me Universitetin, ku studentët do të përfitojnë shërbime falas ose me çmime tepër të reduktuara.

Agjencia Telegrafike Shqiptarë intervistoi studentë në fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Sipas tyre, kërkesat e protestës së dhjetorit po plotësohen të gjitha.

“Më në fund na erdhi dita. Pse jo të mos përfitojmë edhe ne”, thotë një studente.

“Studentët kanë shumë shpenzime. Unë nuk jam nga Tirana dhe i përballoj vetë shpenzimet. Karta e studentit do të na vinte në ndihmë sigurisht”, thotë një tjetër studente.

Gjithashtu, për ATSH-në, një tjetër studente shprehet se “është për t’u vlerësuar fakti që kërkesat tona po realizohen dhe pajisemi në muajin Maj pasi është ndihmëse e madhe nga ana ekonomike. Normalisht që mund të vlerësohet mirë përderisa ishte një nga pikat e protestës, plus që na favorizon ne nga ana ekonomike si nga ana që të ndjehemi si studentët e vendeve të tjera”.

Aplikimet për kartën do të behën në zyra te posaçme që do ngrihen në çdo fakultet, në muajin maj.

Top Channel