Një bazë marsiane, sigurisht e simuluar, është hapur në mes të asgjësë në shkretëtirën e Gobit, në Kinë, por në vend që të presë astronautë që trajnohen për të zbritur në planetin e kuq, ajo është e mbushur me adoleshentë.
Baza “Mars 1” është hapur për publikun të mërkurën dhe ka si qëllim t’i ekspozojë adoleshentët, dhe shpejt edhe turistët, para asaj që do të ishte jeta në këtë planet.
“Ambienti që ne sigurojmë, stimulon vendosmërinë e të rinjve për të eksploruar. Po ashtu i bën ata të kuptojnë vështirësitë e të qenit një astronaut. Një tjetër element është edhe fakti që ky simulim i bën ata ta duan dhe ta shijojnë më shumë jetën në tokë”, tha Bai Fan, themelues i C-SPACE.
Kina po bën progres në përpjekjet e saj për t’iu afruar Shteteve të Bashkuara dhe për t’u bërë një fuqi hapësinore, me ambicien e dërgimit të njerëzve në hënë, në të ardhmen. Dhe kjo bazë marsiane, është sigurisht reflektim i këtyre ambicieve.
Baza ka një kube të argjendtë dhe nëntë module, përfshirë ambiente qëndrimi, një dhomë kontrolli, një serë dhe një sistem ajrimi. Adoleshentët pajisen me kostume hapësinore dhe dalin të ecin në shkretëtirë ku mund të eksplorojnë shpella në panoramën marsiane.
Kompania C-Space planifikon ndërkohë, që vitin e ardhshëm ta hapë bazën edhe për turistët. E ndërsa adoleshentët pretendojnë për qëllime edukative se janë në mars, Kina po planifikon të dërgojë një anije me të vërtetë në planetin e kuq, vitin e ardhshëm.
Top Channel