Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbikëqyri testimin e një lloji të ri të armëve të mërkurën, njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).
Ky është testimi i parë i armëve të Koresë së Veriut, që kur samiti i dytë me SHBA-të në Hanoi, përfundoi pa marrëveshje në shkurt.
KCNA nuk e përshkroi saktësisht se çfarë është arma, përfshirë nëse ishte një raketë apo një lloj tjetër arme, por “armë taktike” nënkupton një armë me rreze të shkurtër, në krahasim me raketat balistike me rreze të gjatë që janë parë si kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Kim tha se “përfundimi i zhvillimit të sistemit të armëve shërben si një ngjarje me rëndësi shumë të madhe në rritjen e fuqisë luftarake të ushtrisë së Koresë së Veriut”, sipas KCNA.
Vitin e kaluar, Kim gjithashtu kishte mbikëqyrur një test të një arme taktike të paidentifikuar në nëntor, e cila mund të fortifikojë Korenë e Veriut si një “mur prej çeliku”, sipas mediave shtetërore, të cilat ekspertët thanë se ishte pjesë e nismës së Kim për të zhvendosur shtyllën konvencionale ushtarake nga një ushtri prej gati 1.3 milionë ushtarëve, në armë të teknologjisë së lartë.
Në prill të vitit 2018, Kim tha se Koreja e Veriut do të ndalonte testet bërthamore dhe nuk do të lëshonte raketa balistike ndërkontinentale, sepse aftësitë bërthamore të Phenianit ishin “verifikuar”.
Top Channel