Grabitja në Rinas/ Lleshaj: Autorët profesionistë. Kontraktori heshti ndaj problemeve të evidentuara

18/04/2019 11:28

Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj kontraktori i aeroportit të Rinasit i ka refuzuar Policisë së Shtetit të mbikëqyrë kamerat e sigurisë.

Ngta Kuvendi ai tha se janë evidentuar 12 probleme të mëdha në aeroportin e Rinasit, por asnjë nga këto nuk është marrë në konsideratë nga koncesionari.

“Kemi pasur rreth 12 komunikime zyrtare ku policia i kërkon marrje masash për mangësi të konstatuara, kurse në kthimet e përgjigjeve, citoj njërën në 2016, TIA shprehet se kompania përmbush dhe zbaton të gjitha detyrimet, gjithashtu sqaron se komunikimin e ka me Autoritetin Civil, pra i thotë policisë se nuk merremi me ju, ose në raste të tjera ka heshtur.

Vërejtët kryesore të bëra nga Policia janë portat e papërshtatshme, rrethimi i jashtëm pa sensorë, kamerat jashtë funksionit, ndriçimi i pistës i pamjaftueshëm, zona e tranzitit po ashtu, shërbimet e sigurisë të pamjaftueshme e të paplota.

Janë të paktën 12 probleme të mëdha që janë evidentuar në kohë nga autoritetet përkatëse”, tha ai.

Ministri ka thënë se grabitja është kryer nga profesionistë, të cilët u larguan nga një tunel dhe i ikën vëmendjes së policisë.

“Masat pas ngjarjes janë të menjëhershme, hymë brenda aeroportit dhe morëm sigurinë, përfshirë edhe sallën e monitorimit të kamerave që ishte e ndaluar për Policinë e Shtetit, perimetri i jashtëm është tashmë nën mbikëqyrjen e Forcave të Armatosura.

Grabitësit për një kohë shumë të shkurtër përfunduan brenda tunelit dhe i humbën vëmendjes së policisë.

Masat e marra, reagimi i shpejtë i policisë kanë siguruar prova që japin shpresë të madhe në sukses për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Ky ishte episod i një serie ngjarjesh me të njëjtët autorë, ngjarja do zbardhet përfundimisht. Nuk ka qenë një rast i thjeshtë, grabitje me autorë profesionistë që kanë shpërthyer edhe zona sigurie më të mëdha, kanë shpërthyer burg të një vendi në BE, kanë vrarë punonjës policie dhe nuk është arritur të kapen, këtu kemi një sukses fillestar.

Garantoj qytetarët dhe deputetet që siguria e aeroportit është e garantuar dhe me masat në vijim arrin në nivele që na japin qëndrueshmëri të gjatë. Për të gjithë ata që e keqpërdorin këtë situatë, u them që nuk është apokaliptike, nuk është e vetmja ngjarje në botë, aeroporte e zona të tjera të sigurisë janë goditur jo tek ne por edhe në vende shumë më të fuqishme se ne, Gjermani, Nju Jork, Bruksel, Meksikë. Më 18 shkurt 2013, 8 të armatosur hynë në pistë në Bruksel dhe vodhën 16 mln dollarë diamante”, tha Lleshaj.

Top Channel