Edhe pse raportoi rritje të shitjeve dhe të të ardhurave për tremujorin e parë, përfshi edhe 9.6 milionë abonentë të rinj, platforma “online” e transmetimit të filmave dhe serialeve “Netflix” parashikon që të ketë një rënie të abonimeve në tremujorin e dytë, mes prillit dhe qershorit, për shkak të rritjes së çmimit.
Kompania ka rritur çmimin e abonimeve në Shtetet e Bashkuara, Brazil, Meksikë dhe disa pjesë të Europës, në mënyrë që të financojë prodhimin e përmbajtjeve të reja të saj.
Një analist tregu, Eric Haggstrom thotë se, të ardhurat e gjeneruara nga rritja e çmimit të abonimeve do ta ndihmojnë “Netflix”-in ta diferencojë veten në një industri gjithnjë e më të populluar. Kompania ka prodhuar një seri filmash dhe serialesh, përfshi “The Crown” dhe “Roma”, aq shumë të nominuar për “Oscar”-in.
Së fundi, “Disney” dhe “Apple” kanë njoftuar veçmas lançimin e shërbimeve të tyre “streaming”. Por, “Netflix”-i ka reaguar dhe është shprehur “i lumtur të garojë” me rivalët e tij të rinj, duke shtuar madje se “nuk parashikon që sfiduesit e rinj të ndikojnë materialisht rritjen tonë”.
Gjithsesi, “Netflix”-i pret me modesti të përballet me një “lëkundje afatshkurtër” abonimesh, që pritet të bien me 8 për qind, nga 5.4 milionë gjatë tremujorit të dytë të vitit të kaluar në vetëm 5 milionë tremujorin e dytë të këtij viti.
“Netflix” njoftoi gjithashtu se për tremujorin e parë të 2019-s, të ardhurat u rritën me 344 milionë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa shitjet me 22 për qind, apo 4.5 miliardë dollarë. E ndërsa të ardhurat totale pritet të rriten në 4.9 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, rritja e të ardhurave parashikohet të ngadalësohet me 249 milionë dollarë.
Top Channel