Gent Cakaj, ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, në një intervistë për Top Channel thotë se nuk ka vend për panik për vendimin e marrë nga Parlamenti i Holandës.

“Është politikisht i motivuar. Pra, është më tepër pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë dhe po ashtu pasqyrë e tendencave politike në dritën e zgjedhjeve evropiane sesa reflektim i realitetit faktik dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri. Ne duhet të mbështetemi në të dhënat e komisionit që janë absolutisht në favorin e Shqipërisë sesa në mbizotërimin e perceptimeve publike momentale të vendeve anëtare”, thotë Cakaj.

Por, çfarë ndodh pas këtij vendimi?

“Proceduralisht, një proces i tillë është tepër i ndërlikuar meqenëse pas mocionit në Parlament i mbetet qeverisë të adresojë çështjen në komision dhe komisioni gëzon mekanizmin e pezullimit të vizave në kushtet si vijon: e para, rritje e konsiderueshme e imigracionit ilegal; e dyta, rritje e konsiderueshme e kërkesave për azil; e treta, cenim i sigurisë publike të vendeve anëtare, rritja e kriminalitetit dhe po ashtu prapakthimi në zbatimin e kushteve që kanë qenë të nevojshme për liberalizimin e vizave të parashtruara nga komisioni. Dhe nuk vlejnë argumentet e parashtruara për motive politike në Parlamentin holandez”, shpjegon Cakaj.

Ministri Cakaj sjell një tjetër argument kundër asaj që ndodhi në Parlamentin e Holandës: “Është konfirmuar në vetë seancën ku është marrë vendimi nga ministri i Çështjeve të Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, prandaj ne mbetemi besimplotë që komisioni do t’i hedhë poshtë pandehmat e Parlamentit holandez dhe procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë do të mbetet i paprekur”.

Mospasjen vend për panik se po rikthehen vizat, Gent Cakaj e argumenton me këtë fakt: “Në dhjetor, Komisioni Evropian, kur ka bërë vlerësimin e kushteve të vlefshme për të ruajtur liberalizimin e vizave për Shqipërinë ka konstatuar se të gjitha ato janë të përmbushura dhe presim rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në maj të këtij viti. Të gjitha argumentet teknike janë në favor të Shqipërisë, por për shkak të rrethanave të brendshme të shteteve anëtare, ka mbizotërim të zërave politikë të cilët janë të motivuar nga fryma populiste”.

Sipas ministrit Cakaj, nuk presim një efekt domino në vende të tjera të BE-së pasi kemi të bëjmë me një rast të izoluar politikisht në Holandë.

Top Channel