20 vjet më parë, në janar të vitit 1999, filloi Festivali i Parë Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”, me idenë dhe drejtimin e Zana Çelës. Këtë vit, ky festival mbush 20 vjet të krijimit dhe realizon edicionin e 17.
“Ishte dëshira e jashtëzakonshme për t’u përfaqësuar në botë me traditën tonë të madhe operistike. Për t’i thënë gjithë skenave ooperistike botërore që skena shqiptare, edhe pse e vogël, ka hapësirë të madhe për të pritur dhe prezantuar yjet e rinj botëror pikërisht në skenën tonë. Festivali “Marie Kraja” u dha hapin e parë të karrierës ndërkombëtare”, u shpreh themeluesja e festivalit, Zana Çela.
Ndërsa Pali Kuke, drejtor i festivalit, tha: “Shumë shpejt kalojnë vitet. Gjërat mund të gjykohen nga podi i vitit 20 jubiular të këtij festivali, por fillesat mendoj që Zana i di shumë mirë, sepse i ka mbajtur mbi shpatullat e veta dhe e di shumë mirë se sa e vështirë ishte që të sillje anëtarë nga kontinente të ndryshme, artistë nga kontinente të ndryshme, të kishe një suport të tillë artistik, ta përballoje atë gjë. Më pëlqen të them që gjithmonë është i ri festivali, sepse janë të rinj konkurrentët që vijnë”.
Drejtori muzikor Robert Radoja theksoi: “Këtu kanë kaluar këngëtarë nga më të mrekullueshmit që sot këndojnë në skenat e botës”.
Festivali “Marie Kraja” rikthehet në datat 19 dhe 20 prill, duke premtuar dy netë magjike me ariet dhe këngët më të bukura klasike, të interpretuara nga 15 këngëtarë.
Martin Andre, drejtor muzikor dhe dirigjent, shprehet: “Është shumë kënaqësi të jem sot këtu, me miq e kolëgë. Zana, Pali dhe profesor Radoja dhe të takoj 15 këngëtarë të mrekullueshëm nga e gjithë bota. Kjo e bën këtë një fesival ndërkombëtar”.
Klevis Saliaj, drejtori ekzekutiv nënvizon: “Në jurinë tonë të nderuar, kryetari i jurisë do të jetë drejtori i Europës. Ai rikthehet për të disatin vit, Z. Nicholaa Payne”.
Edhe njëherë ky festival do të bëjë bashkë yjet e rinj lirikë, duke zbuluar solistët e ardhshmëm të TKOB, që prej edicionit të parë.
Top Channel