Policia e Shtetit thotë se 61 persona janë të proceduar për aktet e dhunës në protestën e opozitës, mes tyre 37 të arrestuar ndërsa 23 u proceduan në gjendje të lirë.

Po ashtu është hapur edhe një procedim penal për organizatorin e protestës, Gazment Bardhi. Mes të arrestuarve është edhe 26-vjeçari Armando Gecaj, i cili gjatë protestës mbante në kokë një kapuç të zi, duke shpërndarë te protestuesit e tjerë kapsolla.

Ish-deputeti Xhemal Gjunkshi pa publikuar disa foto, ku shfaqet një protestues i lidhur me pranga te koka e krevatit në spital.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paraditen e së dielës publikoi një postim në Twitter, ku thotë:

“Ky është fundi i qeverisë-bandë të kapur duke vjedhur zgjedhjet me kriminelët, kërcënimi nr. 1 për demokracinë, sigurinë dhe mirëqenien. Nuk ka kompromis me ëndrrën tonë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, me standardet europiane për zgjedhje të lira, drejtësi dhe ekonomi të lire”.

Një ditë pas protestës, punonjësit e pastrimit të Bashkisë së Tiranës kanë nisur fshirjen e bojës në godinën e Kryeministrisë, ndërsa në hyrjen e Parlamentit po punohet për riparimin e ndriçuesve që u thyen nga protestuesit.

Fotoja e një protestuesi që urinon përpara derës së Kryeministrisë, e cila u bë virale në mediet sociale, ka sjellë reagimin kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjobiti për të pestën herë Partinë Demokratike për urinim publik. Veliaj nuk ka kursyer edhe ironinë me komentin:

“PD gjobitet për të pestën herë për organizime të urinimit publik! Si edhe më parë, paratë do t’i merren direkt nga llogaria! Imagjino ç’alternativë qeverisëse është një parti që i shpëton në brekë! Hipokrizia e ‘Mbro Teatrin’ duket qartë te ndërtesa e Gherardo Bosios”.

Top Channel