Pas plot 4 orësh, opozita ka vendosur t’i japë fund protestës së tretë të madhe dhe të 9-ës në 8 javët e fundit, duke filluar nga 16 Shkurti i këtij viti.

Nën thirrjet “Rama Ik”, protestuesit erdhën nga e gjithë Shqipëria, për t’u grumbulluar para kryeministrisë, ku edhe ishte njoftuar mbajtja e protestës.

Gjithçka nisi me një fjalim të Lulzim Bashës, që konfirmoi edhe njëherë se opozita nuk ka ndërmend të ulet në tryezë me kryeministrin Rama dhe ka cilësuar qeverinë tranzitore, si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës.

Pas fjalës së liderit të PD-së, turma sulmoi dhe çau kordonin policor që siguronte perimetrin e godinës së kryeministrisë, ndërsa rreth orës 19:30, duke ndjekur kryetarin Basha, protestuesit marshuan drejt parlamentit.

Këtu pati përplasje të vazhdueshme mes policisë dhe protestuesve, të cilët disa herë u shpërndanë prej gazit lotsjellës, por u rikthyen sërish aty, deri rreth orës 22:00, kur Basha orientoi turmën drejt selisë së PD-së.

Top Channel