Kryetarja e LSI ka folur për mediat pak para fillimit të protestës. E pyetur për orën e protestës ajo tha se më e rëndësishme është pjesëmarrja e njerëzve.

“Kjo protestë nuk është protestë politike. Kjo është protestë e shqiptarëve. Kjo është protestë e grave shqiptare, e vajzave shqiptare. Është protestë e të gjithë atyre që duan të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri dhe të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre”-tha ajo.

Prononcimi për mediat i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Orari nuk ka të bëjë fare. Ka të bëjë me pjesëmarrjen e njerëzve në çdo moment. Të gjitha ditët janë ditët e Zotit dhe të gjitha orët e ditës janë orët e

Zotit. As nuk na kushtëzon njeri dhe as nuk na detyron njeri.
E rëndësishme nuk është ora. E rëndësishme është përmbajtja e asaj që ndodh. E rëndësishme është pjesëmarrja e njerëzve. E rëndësishme është që çdo protestë, çdo ditë shtohet pjesëmarrja e qytetarëve.

Nëse 16 shkurti quhej protesta më e madhe e bërë nga opozita ndonjëherë, 16 marsi dyfishimi i saj. Sot mjafton të shikosh se si rrugët e Tiranës janë të mbushura dhe buçasin nga njerëzit, nga qytetarët. Mjafton të shikosh se si rrugët hyrëse të Tiranës kanë pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe mjafton të dëgjosh se si taksidarët apo kamzhikët e Edi Ramës gjobisin autobuzat, furgonët me gjoba marramendëse, kur sot shqiptarët nuk kanë bukë të hanë.

Pra edhe ajo që ia kërkon të bëjë. Tregon frikën, tregon fundin. Çdo dhunë, çdo kërcënim, çdo shantazh, çdo mjet që përdor sot qeveria në ikje, e një Kryeministri në ikje tashmë dhe të mbaruar, nuk tregon gjë tjetër veçse rënie, tregon fundin dhe sa më shumë e zgjat, ai zgjat vuajtjen e qytetarëve të vendit të tij.

Kjo tregon se hijësia e tij për njerëzit dhe vendin ka marrë fund.

Znj. Kryemadhi, në protestën e fundit që ju zhvilluar përpara Kryeministrisë ju jeni shprehur se kryeministri Rama po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, madje ka në mendje edhe emrin e ri për Kryeministër…

Unë e kam thënë që çdo kryeministër, çdo person që merr përgjegjësi duhet të bëjë vizitën psikologjike dhe mjekësore, për shumë arsye, sepse vendi nuk mund të ngelet në dorë të njerëzve që janë peng i substancave sintetike, të personave që janë peng të sëmundjeve të tyre dhe nuk mund të ngelet peng i atyre njerëzve që janë peng të maktheve të tyre psikologjike. Z. Rama do të ndryshojë herë pas here, por nuk ka më rrugë tjetër, nuk ka më shpëtim, por ka vetëm një drejtim dhe i vetmi drejtim është që Shqipërisë do t’i kthehet legjitimiteti i Parlamentit, do t’i kthehet legjitimiteti i politikës. Të pastrojmë njëherë e mirë politikën nga krimi i organizuar dhe njerëzit që e kanë kapur, ta pastrojmë njëherë e përgjithmonë atë mentalitet të këtij tranzicioni që politikanët punojnë vetëm për veten e tyre. Ne duhet t’i sjellim shqiptarëve ata politikanë që mendojnë për qytetarët. Djegia e mandateve të opozitës nuk ishte për të shpëtuar opozitën, as për të bërë politike, por ishte interes publik, për t’u kthyer shqiptarëve edhe njëherë vëmendjen që do të jenë ata që sot do të marrin vendimet dhe fatet e tyre në dorë.

Znj. Kryemadhi ju flisni për rikthimin e legjitimitetit kur në fakt ndërkombëtarët e konsiderojnë këtë një qeveri legjitime, madje edhe z. Palmer që zhvilloi edhe një takim me ju…

Nuk është e vërtetë, z. Palmer ndau të njëjtin mendim me opozitën, të paktën flas për grupin e LSI-së. Për sa i përket raportit të DASH, në çdo vend të botës demokracia respektohet ashtu sikurse edhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar nuk është vetëm diktaturë dhe mungesë demokracie, por është më shumë se kaq. Është diktatura e krimit të organizuar. Dhe ajo që ne diskutuam dhe besoj se z.Palmer e tha dhe me gazetarët e Ora Newsi-t kur tha “Axhenda ime nuk ka të planifikuar zgjidhjen e krizës. Axhenda ime ka qenë e planifikuar më përpara dhe sigurisht që do të vazhdojë. Megjithatë unë dua tu them diçka. Hallet e shqiptarëve i zgjidhin vetë shqiptarët.

Nuk ka për ti zgjidhur asnjë tjetër. Sigurisht që partnerët tanë strategjik siç janë SHBA dhe BE jo vetëm që janë dashamirës ndaj Shqipërisë por ata do të jenë dhe janë pika orientuese e jona për të integruar sa më shpejt Shqipërinë në BE dhe për të thënë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria është një vend euroatlantik. Do të thotë që zgjedhjen tonë ne e kemi bërë që në vitet 90, kur studentët përmbysën sistemin komunist dhe i dhanë Shqipërisë të drejtën dhe orientimin drejt BE. Pavarësisht se tranzicioni dhe politika na vendosi në këto situate ku jemi sot. Dhe sot mbas 30 vitesh tranzicion, studentët ishin ata të parët që e filluan, vazhduan dhe të tjerë dhe nuk kishte më kuptim që opozita dhe besoj dhe shumë politikanë dhe deputetë të tjerë të PS duhet të fillojnë të marrin vendime për tu bërë pjesë e njerëzve dhe e qytetarëve.

Sepse kjo protestë nuk është protestë politike. Kjo është protestë e shqiptarëve. Kjo është protestë e grave shqiptare, e vajzave shqiptare. Është protestë e të gjithë atyre që duan të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri dhe të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Në fakt mesazhi ynë është shumë i thjeshtë. Siç lufton i zoti i shtëpisë për shtëpinë dhe familjen e tij, ashtu edhe ne shqiptarët duhet të luftojmë për shtëpinë tonë, për familjen tonë që është Shqipëria.

Zonja Kryemadhi mendoni se është cenuar siguria kombëtare me vjedhjen e 10 milion eurove në aeroportin e Rinasit?

Siguria kombëtare është cënuar shumë kohë më përpara, që kur parcelat mbilleshin me kanabis. Që ku avionët fluturonin me transportin e drograve të ndryshme. Që kur transportoheshin armë në vendet e Bashkimit Europian, apo edhe kalimin e terroristëve ekstremistë që vinin nga vende të etiketuara si vende problematike, të cilët ishin si urë kalimi drejt asaj.
Grabitja në aeroport është një gjë e dukshme tashmë e cenimit tonë kombëtar. Cenimi ynë kombëtar ka filluar që kur shteti është kapur nga krimi i organizuar, çdo gjë vjen nga kapja e shtetit. Kapja e shtetit që nuk është kapje nga një dorë njerëzish ideologjikë, por është kapje e shtetit nga një dorë kriminale, e cila po grabit tashmë të ardhmen e shqiptarëve.

A keni marrë çadër me vete sot, pasi edhe moti nuk është në favorin tuaj?

Çdo gjë është në favorin tonë. Por shiu i sotëm tregon edhe njëherë që pavarësisht çdo lloj vështirësie, kur shqiptarët e ndajnë mendjen për ta realizuar atë që kanë për të realizuar do ta realizojnë. Dhe shqiptarët, asnjëri nga ne këtu nuk do të luftojë për veten e tij. Të gjithë ne luftojmë për fëmijët e shqiptarëve, që ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Shtëpia e fëmijëve të shqiptarëve është Shqipëria. Nuk është asnjë vend tjetër. Shqiptarët duhet të dalin nëpër botë si turistë, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre europianë, të cilët bëjnë intershipe, të cilët kanë angazhime, të cilët punojnë, por janë me dinjitet. Shqiptarët nuk do të ikin më si refugjatë dhe si skllevër në vendet e tjera, por shqiptarët do të ecin dhe do të lëvizin si qytetarë të lirë.

Top Channel