Borussia e Dortmundit reagon pozitivisht pas humbjes së thellë 5-0 në “Allianz Arena” ndaj Bayernit të Mynihut. Verdhezinjtë morën kryesimin e Bundesligës, të paktën përkohësisht, pasi mposhtën me rezultatin 2-1 Mainzin, me dygolësh të Sanchos që në pjesën e parë.
Sulmuesi i talentuar anglez e gjeti golin që në minutën e 17-të, i shërbyer me zgjuarsi nga Mario Gotze. Nuk vonoi shumë dhe 19-vjeçari sigloi të dytin, këtë radhë pas bashkëpunimit me Delaney.
Fitorja e Dortmundit, gjithsesi nuk do të rezultonte e thjeshtë, pasi Quaison shfrytëzoi një top që nuk u largua si duhet nga mbrojtja, duke shkurtuar në 2-1 diferencën 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Miqtë tentuan me të gjitha format të gjenin golin e barazimit, por portieri Burki në momentet kur u vu në provë reagoi me kompetencë. Fitore shumë e rëndësishme edhe për Leipzigun, që iu imponua 2-0 Wolfsburgut me gola të Kampl dhe Werner. Në ndeshjet e sotme u arritën këto rezultate:
Bundesliga:
Dortmund – Mainz 2-1
Hannover – B. Monchengladbach 0-1
RB Leipzig – Wolfsburg 2-0
Stuttgart – Bayer Leverkusen 0-1
Werder Bremen – Freiburg 2-1
Top Channel