Votimi për anëtarin më të ri të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Vate Staka, nxori në sipërfaqe përplasjet e thella mes drejtueses së përkohshme të akuzës dhe një pjese të trupës së prokurorëve.

Konflikti u bë i dukshëm ditën e Asamblesë së Përgjithshme, ku morën pjesë 230 prokurorë dhe ku 45 prej tyre kërkuan të ndryshohet rregullorja e votimit duke u bazuar në nenin 18 të të njëjtës rregullore të miratuar në dhjetor 2018. Kërkesa e një të dhjetës së prokurorëve u lexua nga prokurori Sokol Malaj dhe në të kërkohej se kur ka një kandidat të vetëm, ai të konfirmohej si anëtar i KLP-së vetëm nëse merrte më shumë se 50% të votave.

Kërkesa nuk u pranua të hidhej në votim nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, çka solli përplasjen e hapur.

Në një klimë të tendosur, 135 votuan pro Vate Stakës si njeriu që do t’i përfaqësojë ata në KLP, ndërsa 81 u shprehën kundër. Anëtari më i ri i KLP-së zëvendëson Antoneta Sevdarin, që u shkarkua nga vetting-u.

Vate Staka është gjithashtu edhe kandidat për në SPAK, çka do të thotë se me shumë gjasë ai do të japë dorëheqjen nga kjo ambicie. Sidoqoftë, udhëtimi i tij drejt KLP-së vjen në një kohë kur së shpejti mbyllet gara për prokurorë të përgjithshëm dhe ku garuesit, mes tyre edhe Arta Marku bënë lëvizjet e tyre të radhës gjatë asamblesë.

Top Channel