Një ditë pas ngjarjes, operimi në aeroportin e Rinasit ishte si zakonisht, për sa i përket pjesës së transportit të pasagjerëve. Shtimi i forcave të sigurisë pranë terminalit dhe përqark aeroportit është i dukshëm.

Tani për tani koncensionari nuk ka reaguar. Pikëpyetjet janë të mëdha për mënyrën se si u arrit që në një pikë kufitare me nivel sigurie të lartë si ajo e Rinasit të futej një grup i armatosur.  Nisja e grabitjes ka ndodhur në një pikë mjaft të frekuentuar, ajo gjendet  mes dy parkingjeve ndërkohë që ndodhet shumë pranë edhe komandës së forcave ajrore.

Edhe porta veriore e pistës së aeroportit e cila shërbeu për largimin e grabitësve është  kyçyr në të njëjtën mënyrë si më parë, ndërkohë në tokë kanë ngelur gjurmët e rrotave të furgonit të përdorur në ngjarje. Gjithë kohës ka mjete policie që kalojnë, madje janë kryer dhe veprime të tjera proceduriale në terren.

Lajmi për grabitjen në Rinas ka bërë xhiron e mediave të botës. Në momentin e ngjarjes në bordin e avionit Airbus 320 ndodheshin 134 pasagjerë shkruan gazeta gjermane “bild”.

Kompania ajrore austriake avioni i së cilës ishte objekt i grabitjes ka qenë e para që ka ndërmarrë masa vetjake sigurie për transferimin e vlerave monetare cash nga aeroporti i Rinasit për jashtë shtetit.

Ndërkohë ministria e infrastrukturës vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së bërë ditën e grabitjes nga ministrja Balluku e cila tha se shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë për të garantuar funksionimin normal të të vetmit aeroport ndërkombëtar të vendit.

Top Channel