Grabitësi është Admir Murataj. E njohën familjarët, shkojnë në vendngjarje për të gjetur gjurmë

10/04/2019 19:00

Disa orë pas grabitjes së armatosur të rreth 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, familjarët identifikuan grabitësin e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Ai është Admir Murataj, 42 vjeç, i njohur përpara se të arratisej nga burgu në Greqi, si Admir Nikaj.

Murataj, megjithëse në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2013, u konsiderua si truri organizator i 3 grabitjeve spektakolare në Tiranë të më shumë se 5 milionë eurove, por autoritetet dështuan të binin në gjurmët e tij gjatë këtyre 6 viteve.

I hetuar në mungesë, teksa bashkëpunëtorët e tij u dënuan me një shekull burgim, Admir Murataj u vra nga policia rreth 2 km larg aeroportit, ndërsa iu gjetën në trup dy kallëpe dinamiti, një granatë dhe një kallashnikov. Mendohet që pas largimit nga pista, Murataj ka qëlluar ndaj policisë në përpjekje për të fituar kohë, derisa shokët e tij të braktisnin makinën e krimit.

Por, i vëllai i tij nuk e shikon Admir Muratin si njeriun kryesor të grabitjes më të fundit.

“Ka shumë vite që nga hera e fundit që kam takuar vëllain, dy vite. Admir Murataj dhe vëllai tjetër janë përdorur mish për peshk, besoj që janë vegla por se dimë nga kush. Do t’ia gjejmë fillin më vonë. Do të vijë momenti ta gjejmë. Admir Murataj organizator ngeli i vdekur në vend, të tjerët ikën?”, tha Cen Murataj.

Policia ka nisur të kërkojë gjurmët e autorëve duke kontrolluar fshatrat përreth, një manovër e parë edhe më herët në grabitje të ngjashme e të bujshme, kurse familjarët e grabitësit të vrarë shkuan në vendin ku u vra Admir Murataj.

Vendi ku u vra Admir Murataj tashmë nuk është më një skenë krimi, por jo për familjarët e tij, të cilët sapo e identifikuan atë, kanë ardhur në vendngjarje dhe siç duket janë në kërkim të gjurmëve dhe shokëve të tij.

I tillë ishte edhe një kostum i flakur në përrua, që u zbulua nga vëllai i grabitësit. Nga ana tjetër, autoritetet pas grabitjes së armatosur kanë gjetur të braktisura deri më tani 3 makina, dy prej të cilave të djegura.

Dosja e radhës i ka kaluar Krimeve të Rënda për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, pasi ka dyshime se 4 grabitësit janë ndihmuar nga të tjerë gjatë planifikimit për rrëmbimin e vlerave monetare.

Prokuroria deklaron se ka sekuestruar mbi 20 kamera në Aeroportin e Rinasit, në vazhdën e provave që po mblidhen dhe që tregojnë sesi në mesditë, në perimetrin që duhej të ishte vendi më i sigurtë, 4 persona hynë me makinë në pistë, grabitën në kargo miliona euro dhe u larguan sipas një plani, që tregon se gjithçka është studiuar mirë, deri në momentin që pas tyre u vu në ndjekje FNSH-ja.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA