Gjatë një interviste të dhënë për “Top Show”, rektori i UBT-së Bari Musabelliu sqaroi se pedagogët e universitetit, në asnjë moment nuk kanë qenë kundër ndërtimit të shkollës. Sipas tij, Senati akademik i UBT-së kundërshotn ndërtimin e shkollës brenda Kampusit Universitar të UBT-së.

Për këtë, ai i referohet “Masterplanit të Zhvillimit Perspektiv të UBT-së”, miratuar në KKT me vendim të datës 12.4.2017, ku parashihen të tjera projekte për këtë kampus.

Musabelliu sqaron për “Top Show” se diskutimet me Bashkinë parashikojnë që në këtë tokë prej 25 hektarësh, të ishte ndërtuar pylli orbital për t’u përdorur edhe për komunitetin e zonës.

Rektori i UBT-së i kërkon Bashkisë dhe firmës ndërtuese të pezullojë punimet brenda tokës së universitetit dhe i propozon kësaj të fundit mjedise alternative ndërtimi për shkollat e parashikuara që nuk dëmtojnë kampusin.

Ai shpreh habi sesi është bërë shpronësimi me pronarin e truallit, në një moment kur “konflikti” midis universitetit dhe pronarit është në Gjykatën e Lartë.

Por ndërkohë, rektori i UBT-së do të duhet të paraqitet të mërkurën në orën 10 në Prokurorinë e Tiranës, për hetimet kryesisht të kësaj të fundit mbi projektin e murit rrethues të Kampusit Universitar të UBT-së, me një vlerë prej 600 mijë dollarë.

Top Channel