“Ne vijmë me një ofertë të re për komunitetin shqiptar, që të kemi përfaqësues në 3 nivele që kemi përpara; që do të thotë në nivelin europian, ku jam unë kandidat, nivelin kombëtar në Parlamentin e Belgjikës dhe në nivelin lokal të Brukselit, ku janë 3 kandidatë të pranishëm. Oferta është që komuniteti shqiptar të ecë sa më parë në këtë skenë”.

Me fillimin e fushatës zgjedhore, Amet Gjanaj, deputet aktual i rajonit të Brukselit, njëkohësisht edhe kandidat për në Parlamentin Europian, pohoi se ky është një rast i favorshëm për shqiptarët, që përveç parlamenteve rajonale dhe atij nacional belg, të kenë përfaqësi edhe në Parlamentin Europian.

Gjanaj është deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Belgjikës, por ndërkohë, në kuadër të zgjedhjeve lokale, nacionale dhe atyre europiane, të cilat do të mbahen më 26 maj, do të garojnë edhe 4 kandidatë të tjerë shqiptarë si pjesë e Partisë Socialiste Belge: Luiza Duraki, Habibe Duraki, Avni Gjanaj, si dhe Qëndresa Gerlica.

  Shqiptarët në zgjedhjet europiane. Garojnë në Suedi, Greqi, e jo vetëm

Të gjithë ata kanë shprehur besimin se, me përkrahjen e shqiptarëve do të arrijnë të dalin fitues në zgjedhje.

Ndërkohë, edhe Adnan Dibrani, deputet socialist në Parliamentin suedez me dy mandate të plota, i lindur në Mitrovicë, por që jeton në Suedi që nga mosha 7-vjeçare, garon në zgjedhjet europiane të muajit të ardhshëm për një vend në Parlamentin Europian.

Emra shqiptarë do të ketë për të parën herë në historinë e vendit fqinj, Greqisë, edhe në listat e PASOK-ut, me Eda Gemin, kandidate për në Parlamentin Europian; apo Fatos Malajn, që kandidon për Parlamentin grek, si dhe Arjana Barjaban, në garë për Këshillin Bashkiak të Athinës.

Top Channel