Pas denoncimit në medie, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht mbi projektin e zhvilluar nga Universiteti Bujqësor i Kamzës, që për një mur rrethues të kampusit universitar ka shpenzuar plot 600 mijë dollarë, ndërkohë që muri nuk përputhet me projektin.

Aspekti ku çalon muri faktik nga ai i projektuar është pikërisht lartësia e tij përgjatë perimetrit kufizues.

Pikërisht për këtë çështje janë përplasur prej së shtunës së kaluar Rektorati i Universitetit Bujqësor të Kamzës, mbështetur nga përfaqësues të Partisë Demokratike në opozitë, si dhe Bashkia e Tiranës, e cila pasi e ka kaluar në menaxhimin e saj truallin prej gati 9.000 metrash katrorë, ka vendosur të ndërtojë dy shkolla, një 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, për interesat e banorëve të zonës në Kamëz.

Në protestën e së shtunës, të mbajtur përtej nevojave të komunitetit që kërkon shkollë, Rektorati i UBT-së dhe Jamarbër Malltezi nga PD-ja kanë kundërshtuar ashpër ndërtimin e ri në territorin, që sipas tyre nuk disponohet si pronë nga ana e Bashkisë. Ata përdorën madje edhe një grup të vogël studentësh për t’u përplasur me Policinë Bashkiake.

Bashkia pretendon se, trualli është marrë nga privati, pra është shpronësuar. Dikur ka shërbyer si fidanishte për nevojat e universitetit, e më pas iu kthye pronarit.

Top Channel