Franca do të jetë vendi që do të presë Botërorin e Futbollit të Femrave, evenimenti më i rëndësishëm i kësaj disipline sportive ku skuadra për t’u mundur do të jetë ajo e SHBA që është kampionia në fuqi e botës.
Tashmë, popullariteti i futbollit të Femrave është rritur ndjeshëm dhe Kupa Botës premton të jetë evenimenti më i ndjekur në histori. Por, për të arritur deri këtu, futbolli i femrave duhej të bënte një luftë gati 1 shekullore për të mposhtur paragjykimet.
Ndeshja e parë në histori në futbollin e femrave u zhvillua në Britani, pas Luftës së Parë Botërore, duke krijuar një kohë të artë për këtë sport dhe skuadra e kësaj epoke ishte ajo e Dick Kerr’s Ladies, ku ylli i saj ishte Lily Parr, e vetmja futbolliste femër në Hall of Fame të futbollit britanik.
Futbolli i femrave filloi të fitojë terren në Belgjikë, Francë dhe Gjermani, por pa patur një infrastrukturë kombëtare kështu që në vitet ‘30 u shkri, një situatë që zgjati deri në vitet ’60, kur u rizgjua pas një lëvizjeje feministe. Futbolli i Femrave pati rritje dhe në 1969 u zhvillua Evropiani i parë i fituar nga Italia, edhe pse FIFA dhe UEFA nuk e njohën atë si një eveniment zyrtar.
Në 1970, Italia priti një turne me pjesëmarrjen e 7 skuadrave përfaqësuese që u fitua nga Danimarka, ndërkohë që u organizuan edhe 7 aktivitete të tjera pa miratimin e FIFA-s. Por, përparimi i futbollit të femrave pati një përparim me ritme të ulëta, ndërkohë që lëvizja feministe kishte shumë progres vetëm në aspektin e të drejtave civile të barabarta. Përjashtim bënin SHBA, ku futbolli konsiderohej si sporti i përshtatshëm për femra, kështu që u pranua më lehtë.
Evenimenti i parë zyrtar i UEFA-s u mbajt në 1984 dhe ishte Kampionati Evropian që u fitua nga Suedia ndërkohë që Federata Aziatike e kishte organizuar kompeticionin e saj akoma më herët në 1975. Në rang klubesh, Liga e Kampioneve për femra u krijua në sezonin 2001-2002, ndërkohë që në SHBA, epoka e futbollit profesionist për femra kishte bërë një start të fuqishëm. Shumë e shumë vajza të reja u tërhoqën nga ky sport, pjesërisht edhe pas daljes në ekranet e kinemasë filmi ‘Bend it Like Beckham’ i vitit 2002 me protagoniste aktoren britanike Keira Knightley.
Top Channel