Teuta nuk ia del dot të çojë deri në fund mrekullinë në Ligën ballkanike në basketboll për meshkuj.
Skuadra durrsake që ishte në pjesëmarrjen e saj të parë në këtë eveniment arriti të kalojë në finalen e Ligës Ballkanike ku u përball me skuadrën e Blokoteknës ndaj së cilës humbi me rezultatin me skuadrën maqedonase që u shpall kampione e Ballkanit, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali u kënaq me medaljen e argjendtë
Që në fillim u duk se Teuta do ta kishte mjaft të vështirë për të fituar këtë finale pasi skuadra e Blokoteknës e vuri kontrollin e saj në parket shumë shpejt teksa fitoi periodën e parë 25-9.
Teuta pati momente më të mira në periodën e dytë të cilën e fitoi 21-17 duke e reduktuar disi disavantazhin në këtë finale teksa skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me rezultatin 42-30 për maqedonasit
Me rikthimin në parket, Blokotekna e thelloi akoma më shumë diferencën në pikë, pasi e mbylli periodën e tretë 28-15 duke e çuar rezultatin përpara fillimit të 10 minutëshit të fundit 70-45. Në periodën e katërt të ndeshjes, u pa një Teutë shumë më e saktë në lojën e saj e cila arriti të fitojë këtë fraksion të lojës 23-12, por për durrsakët ishte shumë vonë pasi sfida u mbyll me rezultatin 82-68 në favor të Blokoteknës që u shpall kampione e Ballkanit.
Është kjo një humbje që gjithsesi nuk ia zbeh meritat skuadrës së Teutës për të cilën edhe kjo medalje e argjendtë është një sukses i rëndësishëm pasi tregon formën mjaft të mirë të shfaqur në këtë eveniment
Top Channel