Ministrat e financave të Eurozonës vendosën zbutjen e borxheve për Greqinë, të premten, duke thënë se qeveria ka implementuar reformat e premtuara gjatë programit masiv të shpëtimit që u mbyll vitin e shkuar.

Greqia mori paketën e tretë dhe të fundit të ndihmës ndërkombëtare në gusht, një pikë kthese kjo në progresin e saj për daljen nga katastrofa që mbërtheu vendin gjatë krizës së borxheve.

“Në total, Greqia ka bërë atë që ka qenë e nevojshme për të respektuar angazhimet e saj. Vendimi i sotëm i jep tani një sinjal shumë të fortë tregjeve”, tha Pierre Moscovici, komisioner i BE për ekonominë.

Vendimi vjen ndërsa shpresat se Greqia e ka kapërcyer krizën, janë të mëdha. Muajt e fundit, Athina lëshoi një bono 10-vjeçare, e para përpjekje e madhe për huamarrje që nga kriza e saj e borxheve.

Vendi shpreson të mbledhë një shumë totale prej rreth 9 miliardë eurosh në tregje këtë vit për të shtuar besimin e investitorëve tek ekonomia greke. Rritja pritet të shkojë në 2.4 për qind në 2019, pas një rritjeje prej 2.1 përqindësh në 2018.

Top Channel