Zëvendës kryeministri Erion Braçe prezantoi Artan Lamen si drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një institucion i sapokrijuar që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Brace tha se përmes këtij institucioni qeveria synon ti japë zgjidhje përfundimtare kaosit të pronave.

Numri 2 i qeverisë tha se shumë toka bujqësore nuk kanë certifikata pronësie. E njëjta situatë është edhe me ndërtime informate, që duhet të legalizohen. Ndërkohë, Lame premtoi se do t’i japë fund kaosin të pronave.

“Artan Lame tha se barra është rëndë por rrugë tjetër për të mbyllur kaosin e pronave nuk ka, përveç kësaj që ka marrë qeveria shqiptare. Zgjidhja e çështjes së pronësisë, sidoqoftë mbetet thembra e Akilit për kohezionin, qoftë të pronave në Shqipari, qoftë atë social, sepse njerëzit vazhdojnë te theren e të zihen për çështje pronash. Mund të them që reforma do të jetë në 3 drejtime”, tha Lame.

Numri dy i qeverisë u ka kërkuar qytetarëve të mos paguajnë ryshfet për të marrë titujt e pronave që u takojnë, ndërkohë që i bëri apel bashkive të kryejnë detyrat që u ngarkon ligji.

“Ky proces nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ketë bashkëpunim me gjithë aktorët. Bëj një apel, besoj që duhet ta kenë në vëmendje. Bashkitë kanë marrë atribute të qenësishme edhe për legalizimin dhe certifikimin e titujve të pronësisë. Janë Bashkitë që duhet të çojnë procesin përpara, të jenë të interesuara që procesi të përfundojë sa më parë të jetë e mundur. Dua të bëj apel edhe për agjencitë e tjera, apel edhe banorëve, kërkoni shërbim, mos paguani asgjë që nesër mund tu kthehet në të kundërt, vepër penale edhe për nëpunësit edhe për ata që mendon se mund ta blejë shërbimin mes parave, do ta luftojmë korrupsionin”- tha Braçe.

Shqipëria rezulton me 4.4 milionë pasuri të paluajtshme, nga të cilat rreth 3.8 milionë janë të regjistruara dhe rreth 600 mijë pasuri të tjera të paregjistruara. Por sipas të dhënave zyrtare më shumë se gjysma e pronave të regjistruara, rezulton me probleme dhe duhen azhurnuar.

 

Top Channel