Këtë të shtunë luhen ndeshjet e javës së 27 të Kategorisë Superiore, javë e cila përmbyll edhe fazën e tretë të kampionatit.

Vëmendja padyshim është te dueli në distancë për çështjen e titullit, mes Partizanit dhe Kukësit. Skuadra e “të kuqve” do të luajë ndaj Luftëtarit, ndaj të cilit do të kërkojë të fitojë jo vetëm për të vazhduar të mbajë larg Kukësin, por edhe për të marrë revanshin për eliminimin në Kupën e Shqipërisë në mesjavë.

Nga ana e tij, Kukësi do të përballet me Kastriotin, në një ndeshje ku objektivat janë krejtësisht të ndryshme. Skuadrës krutane i duhen pikë për mbijetesën, ndërsa Kukësit i duhet me çdo kusht fitorja, sigurisht duke pasur një sy edhe nga sfida e Partizanit, për të mbajtur ende gjallë shpresat sa i përket luftës për titull.

Një sfidë tjetër interesante është ajo mes Flamurtarit dhe Tiranës, me skuadrën vlonjate që pretendon të zërë vendin e tretë, që do të thotë pjesëmarrje në kompeticionet europiane. Nga ana e saj, Tirana do të kërkojë të fitojë më shumë qetësi sa i përket klasifikimit dhe qëndrimit në Superiore.

Skuadra e vetme që nuk do të zbresë në fushën e lojës në këtë javë të kampionatit është Skënderbeu, që e merr fitoren 3-0 në tavolinë, ndaj Kamzës tashmë të përjashtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA