Gazetarin Jakup Gjoca gjatë takimit të Lulzim Bashës me gazetarët, e pyeti nëse ai është një oligark politik. Kjo pyetje e drejtpërdrejtë e vuri kreun i PD-së në siklet dhe sot Gjoca ishte i ftuar në emisionin Top Talk, të gazetarit Denis Dyrnjaja, për të folur rreth sistemit politik.

“E ndjeni veten ju që jeni një oligark politik? Pse? Me sistemin elektoral, asnjë deputet, asnjë që do të bëjë karrierë, nuk ka interes që të afirmohet publikisht. Ai afirmohet duke dalë në media për të dhënë mendimin e tij, jo duke thënë lexuar si papagall ndonjë deklaratë”, ishte një pjesë e pyetjes që Gjoca i bëri Bashës. Mendimin e tij, rreth sistemit politik, gazetari e ka shpalosur edhe gjatë emisionit Top Talk.

Gazetari Dyrnjaja e pyeti nëse Basha është oligarku i vetëm politik në Shqipëri dhe Gjoca tha se pyetja nuk ishte vetëm për kreun e Partisë Demokratike.

“Nuk iu drejtova vetëm atij si oligark politik. Oligarku polik ka në dorë të gjithë vendimmarrjen politike. Ai vendos dhe se kush do jenë njerëzit e piramidës së partisë, që nga nr 2 e deri tek më i thjeshti. Ai vendos se kush do jenë deputetët që përfaqësojnë Partinë e tij me anë të listës së mbyllur. Ai vendos se kush do jenë ministrat, drejtorët e Përgjithshëm të të gjithë strukturave të shtetit. Ai vendos se kush do jenë edhe fshesaxhinjtë e institucioneve shtetërore. Jemi 30 vjet në tranzicion dhe leuceminë e demokracisë e shkakton oligarku politik sepse me ligjet qoftë kushtetuese, apo status partie, e kemi bërë kryetarin e Partisë dhe Kryeministrin fuqiplotë. Gjithë rrjedha politike në Shqipëri është sipas oreksit të Partisë.

Në 30 vitet e tranzicionit, të gjitha ata që ishin nismëtar të demokracisë, janë edhe sot aty. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nuk ka mundësi që të njëjtët të bëjnë politikën në Shqipëri”, tha Gjoca.

Top Channel