Top Talk/ Gjoca: Në Shqipëri kryetarët e partive të zhytur në kultin e pushtetit dhe madhështisë

05/04/2019 16:08

Gjocit iu kërkua që të bënte një paralelizëm mes Shqipërisë dhe Greqisë, në lidhje me thelbin e demokracisë së partive të të dyja vendeve.

“Në Greqi një politikani nëse i mbaron mandati, ai nuk riciklohet dhe kjo ndodh me vullnet politik. Për shembull, Karamalisi u zgjodh kryetar i partisë Demokracia e Re dhe u bë Kryeministër. Pas 5 vjetësh pasi u rrëzua qeveria e tij, partia bëri kongresin e saj zgjodhi kryetarin e ri dhe ai nuk merr më pjesë në jetën poetike. Një deputet pavarësisht që votohet nga popullin, nëse nuk zgjidhet mandatin tjetër, ai nuk zgjidhet më në Greqi, pra nuk riciklohet”, tha Gjoca.

Më tej, gazetari foli për eksperiencën e tij të papëlqyeshme në lidhje me deputetë shqiptar.

“Si gazetar iu kam kërkuar politikanëve të shumtë që të më japin një opinion për ta botuar. Disa më shpërfillin, por disa në kofidencë më japin opinionin e tyre, duke më thënë se nuk e bëjnë publike se pastaj jeta e tyre politike mbaron. Kjo do të thotë,se nuk shprehin atë që dua, por do përsërisin atë që ka thënë udhëheqësi, oligarku i partisë”, tregoi Gjoca.

Më pas ai tha se kryetari i partisë të mos ketë pushtet politik.

“Duhet të pranojmë që kryetari i partisë të mos ketë pushtet absolut. Ai nuk e kupton se duke përqendruar gjithë këtë pushtet, dëmton veten. Pranë tij, do afrohen njerëz servilë. Kryetari i Partisë do kishte mirë që të kishte deputetë personalitete. Të gjitha partitë janë njësoj. Sot PD dhe LSI ankohet se pse deputetët nuk i binden vullnetit të partisë. Nëse do kishte njerëz me personalitete dhe jeta e tij nuk do varej nga oreksi i kryetarit, personaliteti nuk do bëhej lodër e partisë, por do kontribuonte për vendin e tij”, këshilloi gazetari. Më pas ai tha se do e besonte Lulzim Bashën vetëm nëse do kërkonte me ngulm ndryshimin e kodit zgjedhor dhe hapjen e listave të deputetëve. Në të kundërt, sipas tij në vend nuk do ndryshojë asgjë përveç se ndryshim ngjyrash në pushtet.

Top Channel