Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku denoncoi sot raporton e KLSH-së, duke thënë se ky institucion konfirmon korrupsionin e rëndë në qeverinë “Rama”. Në raport thuhet se vitin e kaluar, 1.7 miliardë euro janë keqpërdorur me qëllim nga qeveria.

Ndërkohë, sipas Tabakut edhe ndërkombëtarët kanë konstatuar problemin korrupsionit që ka kapluar qeverisjen dhe shoqërinë tonë.

“Dy javë më parë, raporti i OKB-së nënvizonte problemin e korrupsionit endemik që ka kapluar qeverisjen dhe shoqërinë tonë. Raporti i DASH, ambasadorja gjermane dhe biznese shqiptare vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për korrupsionin dhe lidhjet e bizneseve me qeverinë në përfitimin e tenderëve publikë.

Së fundi, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit fakton se vitin e kaluar qeveria ka keqpërdorur me qëllim 1.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, 923 milionë euro është dëmi ekonomik nga të ardhurat e pa mbledhura, që lidhet direkt me korrupsionin endemik, ndërkohë që janë keqshpenzuar në tenderë dhe jo vetëm, 587 milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Gjykata Europiane e Auditit fakton se 1 në 3 kompani përfiton abuzivisht nga tenderët, duke shmangur procedurat për një garë të ndershme, që do t’i kursenin buxhetit miliona euro nga taksat e shqiptarëve”, tha ish-deputetja e Partisë Demokratike.

Top Channel