Ignazio Barbagallo e kishte menduar shumë herë në karrierën e tij lamtumirën nga futbolli, por dëshira për të luajtur sa më gjatë e kishte shtyrë dhe e kishte zhvendosur deri në Kategorinë e tretë siçiliane.
Tani, 55-vjeçari vendosi t’i japë lamtumirën futbollit, por e bëri këtë në një mënyrë krejt unike dhe të rrezikshme, duke simuluar një rrëmbim që shokoi ekipin e tij dhe kundërshtarët.
Ulja pa leje e një helikopteri në një fushë futbolli nuk është shembull i sigurisë më të mirë, por bashkëpunëtorët e futbollistit veteran e luajtën shkëlqyeshëm rolin e tyre. Ata zbritën nga mjeti fluturues, të maskuar me armë dhe kapuç, duke simuluar pengmarrjen.
Gjithçka ndodhi në sytë e arbitrave dhe futbollistëve të tjerë, ndërsa videoja u kthye shpejt virale në internet.
Por, gjykatësi sportiv vendosi të ndëshkojë skenat e denja për një film “Hollywood”-i, duke penalizuar ekipin e Viagrandes me një gjobë, si dhe duke dënuar futbollistin Ignazio Barbagallo me pezullim, masë kjo që gjithsesi ishte e kot, pasi lojtari ka braktisur tashmë futbollin.
Top Channel